SPORT, 3 Mars 2020, 23:07

Liverpooli në krizë, Willian dhe Barkley çojnë Chelsea-n në çerekfinale

Liverpooli në krizë, Willian dhe Barkley çojnë Chelsea-n

Liverpooli, jashtë FA Cup! Kampionët në fuqi të Europës dhe kryesuesit e Premier League-s (titulli mbetet formalitet për ta) u eliminuan në fazën e 1/8-ave të kompeticionit nga Chelsea i Londrës, që iu imponua me rezultatin 2-0 në “Stamford Bridge”.

Për skuadrën e drejtuar nga Frank Lampard shënuan braziliani Willian në minutën e 13-të dhe Barkley në të 64-ën, pa harruar faktin që blutë e Londrës goditën dy herë traversën me Mount dhe Marcos Alonson.

Një Liverpool krejtësisht i transformuar në pak kohë, teksa në katër ndeshjet e fundit, mes Championsit, Premier League-s dhe FA Cup, ka pësuar tri humbje.

Nëse titulli në Premier League konsiderohet çështje e mbyllur për “The Reds”, pas largimit nga FA Cup skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp rrezikon seriozisht edhe eliminimin nga Championsi, pasi e ka humbur 1-0 takimin e parë me Atleticon, që u zhvillua në “Wanda Metropolitano”.