LIFESTYLE, 14 Shtator 2022, 09:36

Si prodhohet sheqeri? - Rrugëtimi i panxharit nga fusha në kuzhinën tuaj

Si prodhohet sheqeri? - Rrugëtimi i panxharit nga fusha në

Edhe pse shkencëtarët europianë, për qindra vite kanë qenë të vetëdijshëm për vetitë unike të nxjerrjes së sheqerit nga panxhari, kjo alternativë nuk u mor parasysh deri në fillim të shekullit të 19-të.

Por me fuqizimin e perandorit Francez Napoleon Bonaparti, kjo gjë ndryshoi. Kur Francës iu ndërpre papritmas furnizimi me sheqer nga Karaibet, për shkak të bllokadave gjatë luftës, asaj iu desh të gjente mënyra të brendshme të prodhimit të sheqerit.

Kështu Napoleoni financoi kërkimet mbi prodhimin e panxharit të sheqerit dhe nxiti fermerët francezë për të zhvilluar këtë kulturë.

Kërkimet dhanë fryte dhe së shpejti prodhimi i panxharit të sheqerit filloi me vrull në të gjithë Europën.

Franca është ende një nga prodhuesit kryesorë të sheqerit të panxharit, përkrah Rusisë, Gjermanisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Rrugëtimi i panxharit nga fusha në kuzhinën tuaj

Një nga ndryshimet kryesore midis panxharit të sheqerit dhe kallamit të sheqerit është lloji i bimës nga vijnë.

Kallami i sheqerit ka një gamë shumë të kufizuar në të cilën mund të prodhohet, ndërsa panxhari mund të rritet edhe në rajone si Europa dhe Amerika e Veriut.

Panxhari është një nga të korrat e para që mbillet në fillim të vitit. Ai mbillet në pranverë, rritet gjatë verës dhe korret në vjeshtë. Pasi korret, transportohet në një fabrikë përpunimi ku pastrohet, lahet dhe pritet në shirita të gjatë.

Këto shirita i nënshtrohen një procesi të krijuar për të hequr saharozën (e cila përbën 20% të rrënjës) nga bima.

Lëngu që nxirret, karbonizohet dhe filtrohet për të hequr papastërtitë dhe më pas përqendrohet përmes zierjes dhe avullimit.

Me të arritur përqendrimin e duhur, kristalet e sheqerit iu nënshtrohen centrifugës, për të ndarë sheqerin e bardhë nga melasa. Në këtë pikë, sheqeri thahet, ftohet dhe ruhet para se të paketohet. Sapo të paketohet, ai është gati të dërgohet tek blerësit e ndryshëm në botë.

Historia e zhvillimit të panxharit të sheqerit është një histori e zgjuarsisë njerëzore.

Jo vetëm që panxhari i sheqerit është një pjesë thelbësore e prodhimit global të sheqerit, por është gjithashtu një kujtesë se ka gjithmonë një mënyrë për të prodhuar ushqime jetësore tek të cilat mbështetemi çdo ditë./AgroWeb.org