TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme plenare, e cila nis në orën 09:00, me 22 pika në rendin e ditës. Në fokus të diskutimeve do të jetë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përpara Kuvendit pritet të zhvillohet edhe një protestë e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës, e cila kërkon miratimin e projektligjit për ndryshimin e këtij ligji. Protestuesit kanë qëndruar gjatë natës përballë ndërtesës së Kuvendit.
Projektligji për Dhomat e Specializuara do të trajtohet fillimisht në orën 08:00 nga Komisioni parlamentar për Legjislacion, ndërsa një orë më vonë pritet të shqyrtohet në seancën plenare.
Kjo çështje ka qenë në qendër edhe të takimit të zhvilluar të shtunën mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza deklaroi se diskutimet kishin përfunduar dhe kërkoi që ligji të miratohej fillimisht në dy lexime. Sipas tij, më pas do të mund të diskutohej çështja e presidentit, duke bërë të ditur se PDK-ja ishte e gatshme të jepte mbështetjen e saj.
Ndërkohë, dy ditët e ardhshme janë vendimtare edhe për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës. Deputetët kanë kohë sot dhe nesër, më 6 tetor, për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Nëse procesi dështon, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kështu, seanca e sotme pritet të zhvillohet nën tensionin e dy çështjeve kryesore: miratimit të ndryshimeve për Dhomat e Specializuara dhe zhbllokimit të procesit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Zhvillimet minutë pas minute:
“Deputetët nuk dalin pa miratuar ligjin e Speciales”, protestuesit bllokojnë hyrjet e Kuvendit të Kosovës
Protestuesit kanë rrethuar hapësirat e objektit të Kuvendit të Kosovës me kërkesën për aprovimin e projektligjit për plotësim ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ata kanë thënë që “asnjë deputet nuk mund të dalë pa aprovuar ligjin”. Seanca e jashtëzakonshme që në rend dite ka pikërisht këtë projektligj, parashihej të niste në orën 09:00, por nuk ka filluar ende.
Protestës tashmë i janë bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati ka thënë që nëse nuk votohet ligji, do të përshkallëzohet protesta.
Komisioni i Legjislacionit miraton projektligjin për Dhomat e Specializuara, tani kalon në seancë plenare
Komisioni parlamentar për Legjislacion në Kosovë ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji mori mbështetjen e të gjithë anëtarëve të pranishëm të komisionit, me 9 vota pro dhe asnjë kundër, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në seancën plenare të Kuvendit.
Pas përfundimit të mbledhjes së komisionit, deputetët janë drejtuar drejt sallës së seancave plenare, ku në orën 09:00 është paraparë të nisë seanca e jashtëzakonshme.
Ndryshimet për Dhomat e Specializuara janë pika e parë e rendit të ditës së seancës së sotme. Projektligji u prezantua më herët në Komisionin për Legjislacion nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda.
Gjatë prezantimit, Gruda deklaroi se qëllimi i nismës është mbrojtja e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shqyrtimi i projektligjit zhvillohet në një ditë të rëndësishme politike në Kosovë, ndërsa jashtë Kuvendit është paralajmëruar edhe protestë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara.
Në seancën e sotme janë paraparë gjithsej 22 pika të rendit të ditës, ndërsa pas shqyrtimit të projektligjit për Dhomat e Specializuara, deputetët pritet të vijojnë me çështjet e tjera të parashikuara në agjendën parlamentare.
Gjykata Speciale në qendër të debatit në Kosovë, nis shqyrtimi i projektligjit në Kuvend. Grumbullohen protestuesit
Komisioni parlamentar për Legjislacion në Kosovë ka nisur shqyrtimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji është prezantuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, i cili ka deklaruar se qëllimi i nismës është mbrojtja e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shqyrtimi në komision po zhvillohet në orën 08:00, ndërsa projektligji është pika e parë e rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit, e cila nis në orën 09:00.
Nisma për ndryshimin e ligjit vjen në një kohë kur çështja e Dhomave të Specializuara në Hagë mbetet në qendër të debatit politik në Kosovë. Përkrahësit e projektligjit argumentojnë se ndryshimet synojnë të mbrojnë vlerat dhe figurën e luftës së UÇK-së.
Pas shqyrtimit në komision, projektligji pritet të kalojë për diskutim në seancën plenare, ku deputetët do të vendosin për hapat e mëtejshëm të tij.
Ndërkohë, para ndërtesës së Kuvendit ka nisur protesta nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila kërkon miratimin e ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara.