AKTUALITET, 14 October 2026, 12:19

Vendimi/ Bordi ul çmimin e naftës dhe benzinës, ja me sa lekë do të shiten

Vendimi/ Bordi ul çmimin e naftës dhe benzinës, ja me sa

Çmimi i naftës në Shqipëri është ulur me 6 lekë për litër. Bordi i Transparencës ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë i gazoilit të jetë 213 lekë për litër, nga 219 lekë që ishte më parë.

Sipas vendimit të marrë këtë të mërkurë, më 14 tetor 2026, çmimi maksimal i shitjes me shumicë i naftës do të jetë 201 lekë për litër.

Ndërkohë, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i benzinës do të jetë 190 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë do të tregtohet me jo më shumë se 178 lekë për litër.

Çmimet e reja hynë në fuqi më 14 tetor, në orën 14:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të shqyrtohen sërish ndryshimet në treg.

Njoftim për Shtyp

Bordi i Transaparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e rradhës.
Kështu Bordi i Transparencës në datë 14 Tetor 2026, vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 213 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 201 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 190 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 14 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
 Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.