AKTUALITET, 14 October 2026, 10:20

Protesta, gjashtë të plagosur ende në spital! 19-vjeçari që i thyen këmbën po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale

Protesta, gjashtë të plagosur ende në spital! 19-vjeçari

Gjashtë persona të lënduar gjatë protestës së dhunshme të një dite më parë në Tiranë vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës. Ministria e Shëndetësisë njofton se bëhet fjalë për 3 kalimtarë dhe 3 protestues, të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore. Njëri prej kalimtarëve, 19-vjeçari që pësoi frakturë në këmbë, po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

Ndërkohë, mes të lënduarve është edhe një 84-vjeçar nga Kukësi, i cili ka pësuar frakturë të femurit. Ndërhyrja kirurgjikale për të moshuarin është planifikuar të kryhet të premten.

Njoftimi 

Në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes shëndetësor 6 persona të lënduar, nga të cilët:

* 3 kalimtarë, në gjendje të mirë shëndetësore, të cilët vijojnë qëndrimin në spital. Njëri prej tyre po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

* 3 protestues, gjithashtu në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vijojnë qëndrimin në spital, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse nevojitet shtrimi.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur gjatë natës 1 protestues me shenja intoksikimi, i cili, pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, është larguar nga spitali.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u uron shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar dhe garanton vijimin e kujdesit mjekësor sipas nevojave të secilit.