SPORT, 26 Shtator 2021, 15:01

Juventusi arrin fitoren e dytë radhazi, “Zonja e Vjetër” mposht Sampdorian

Juventusi arrin fitoren e dytë radhazi, “Zonja e Vjetër”

Juventusi ka arritur të korrë suksesin e dytë radhazi në kampionat, ndërsa pas Specias në transfertë tani e ka radhën Sampdoria në stadiumin “Allianz” me rezultatin 3-2.

Sfida nisi furishëm për bardhezinjtë e Masimiliano Alegrit ku Paulo Dibala realizoi një supergol, por 11 minuta më vonë pikërisht ylli argjentinas u kushtëzua të linte fushën e blertë i përlotur pas një dëmtimi që pësoi.

Në minutën e 43′ ishte Leonardo Bonuçi i cili shënoi golin e 2-0 me 11-metërsh, pasi lojtari i dorianëve preku me dorë topin. Një minutë më vonë ishte Joshida ai që rihapi sfidën duke ngushtuar diferencat në 2-1 në minutën e 44′.

Manuel Lokateli ishte autori i golit të tretë të Juventusit në minutën e 57′ i cili shtyu topin në rrjetë.

Minutat e fundit ishin të “zjarrta” teksa ish-interisti Antonio Kandreva rihap sërish sfidën në 3-2, por pa mundur dot që Sampdoria të surprizonte “Zonjën e Vjetër” ditën e sotme.

Me këtë sukses Juventusi ngjitet në vendin e 9 në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Sampdoria klasifikohet në vendin e 14 në kuotën e pesë pikëve.