BOTA, 5 August 2026, 13:52

Italia përballet me temperatura ekstreme, alarm i kuq në dhjetëra qytete pas rasteve të dyshuara me viktima

Një valë e re të nxehti ka përfshirë sot Italinë, duke detyruar autoritetet të vendosin 27 qytete në nivelin më të lartë të alarmit për temperaturat ekstreme. Sipas agjencisë italiane ANSA, 25 qytete janë nën alarm të kuq këtë të mërkurë, ndërsa numri do të rritet në 27 të enjten, pasi temperaturat pritet të arrijnë nivele rekord, duke rritur rrezikun për shëndetin publik.

Mediat italiane raportojnë edhe për tre viktima, vdekjet e të cilave dyshohet se lidhen me vapën ekstreme. Një marangoz 40-vjeçar humbi jetën pasi u ndje keq teksa punonte mbi një çati, një roje sigurie 55-vjeçare vdiq pasi pësoi një urgjencë shëndetësore ndërsa ndodhej në makinë, ndërsa një grua 90-vjeçare ndërroi jetë teksa ishte në kopsht. Parashikimet tregojnë se në disa zona të Italisë temperaturat do të kalojnë 40 gradë Celsius. Gjatë fundjavës pritet një rënie e lehtë, me temperatura që do të luhaten nga 36 deri në 39 gradë.

Ndërkohë, shqetësimet për thatësirën dhe zjarret mbeten të larta. Vatra zjarri janë raportuar në zonën e Marsica, në rajonin e Abrucos, ndërsa zjarrfikësit vijojnë punën për vënien nën kontroll të një zjarri në zonën Karst, pranë Triestes, që ka nisur që prej pasdites së së shtunës.