BOTA, 4 August 2026, 21:57

Rregulla të reja për sulmet në Gaza/ Izraeli kërkon miratimin e shefit të ushtrisë për goditjet ndaj Hamasit

Izraeli ka ashpërsuar rregullat për kryerjen e sulmeve ndaj anëtarëve të Hamasit në Rripin e Gazës, raportuan sot mediet izraelite.

Sipas gazetës “Haaretz”, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, duhet të japë miratimin paraprak, për çdo sulm ndaj anëtarëve të Hamasit, përveç rasteve kur ushtarët përballen me një kërcënim të menjëhershëm.

Raporti thekson se udhëheqja politike e Izraelit ka ndryshuar udhëzimet përkatëse.

Më herët, miratimi i disa komandantëve ishte i mjaftueshëm për autorizimin e sulmeve.

Sipas “The Times of Israel”, si pasojë e këtyre rregullave të reja, numri i sulmeve në Rripin e Gazës ka rënë ditët e fundit.

Ndërkohë, një plan i hartuar nga Bordi i Paqes i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, parashikon ndërprerjen e plotë të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, si edhe dorëzimin e armëve nga Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura.

Ky bord u krijua nga presidenti amerikan Donald Trump dhe ka për detyrë të mbikëqyrë rindërtimin e Rripit të Gazës dhe vendosjen e rendit pas luftës në territorin palestinez.

Egjipti, Katari dhe Turqia, që ndërmjetësojnë në konflikt, kanë dënuar së fundmi sulmet izraelite në zonën e shkatërruar nga lufta.

Megjithëse armëpushimi në luftën e Gazës është zyrtarisht në fuqi që nga tetori i vitit 2025, përplasjet vdekjeprurëse dhe sulmet vazhdojnë.

Javët e fundit, ushtria izraelite ka vrarë vazhdimisht persona të dyshuar si anëtarë të Hamasit dhe të organizatës Xhihadi Islamik Palestinez