BOTA, 4 August 2026, 20:57

Sulm me raketë pranë Jemenit, fundoset një anije indiane! Shpëtohen të 14 marinarët

Një anije indiane është goditur nga një raketë dhe është fundosur pranë ujërave të Jemenit, njoftoi Ministria e Transportit Detar e Indisë përmes një postimi në platformën X.

Sipas autoriteteve indiane, të 14 marinarët që ndodheshin në bord u shpëtuan nga Roja Bregdetare e Jemenit dhe u transportuan në portin e Mocha-s. Nga ekuipazhi, 13 janë shtetas indianë.

India e ka dënuar sulmin ndaj anijes, duke e cilësuar atë si një goditje ndaj një mjeti të pambrojtur.

Ministri indian i Transportit Detar, Sarbananda Sonowal, deklaroi se siguria e qytetarëve indianë mbetet prioritet dhe se autoritetet kanë ndërmarrë masa për të garantuar mbrojtjen e marinarëve që ndodhen në zonë.

“India e dënon fuqimisht këtë sulm të paprovokuar ndaj anijes me vela të pambrojtur. Jam i kënaqur të njoftoj se të 14 marinarët janë shpëtuar shëndoshë e mirë nga Roja Bregdetare e Jemenit dhe janë transferuar në portin e Mocha-s”, u shpreh Sonowal.

Ai shtoi se Drejtoria e Përgjithshme e Administratës Detare është udhëzuar të bashkëpunojë me agjencitë përkatëse për të siguruar të gjithë ndihmën e nevojshme për ekuipazhin e shpëtuar.