BOTA, 4 August 2026, 22:11

Hodhi gabimisht biletën e lotarisë me 1 milion euro, punonjësit e pastrimit e gjejnë pas kërkimit në plehra

Punonjësit e shërbimit të pastrimit në Itali, arritën të gjenin një biletë lotarie me vlerë 1 milion euro, pas një kërkimi disaorësh nëpër qeset e mbeturinave, duke ia kthyer atë pronarës së saj, e cila e kishte hedhur gabimisht pasi mendoi se nuk kishte fituar.

Gruaja nga qyteti juglindor i Bitontos, e kishte lënë biletën në pikën e shitjes së lotarisë, pasi në të ishte shënuar “nuk paguhet”.

Megjithatë, arsyeja nuk ishte se bileta nuk kishte fituar, por pikërisht e kundërta, çmimi prej 1 milion eurosh ishte një shumë tepër e lartë për t’u paguar në pikën e shitjes.

Roberto Nicola Toscano, drejtues i kompanisë së menaxhimit të mbeturinave, SANB, tha se familja e kuptoi vlerën e vërtetë të biletës vetëm pasi ishte kthyer në shtëpi.

Por deri atëherë, bileta kishte përfunduar në koshin e plehrave.

Punonjësit e SANB, nisën kërkimet në një impiant për seleksionimin e mbeturinave, duke kontrolluar brenda një kamioni plehrash.

Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 05:30 të mëngjesit, një prej punonjësve gjeti biletën ende të paprekur, brenda një qeseje të grisur, mes shumë biletave të tjera të dëmtuara.