TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore pritet të vijojë punën përtej afatit të parashikuar, pasi dy bashkëkryetarët e tij kanë kërkuar zyrtarisht zgjatjen e mandatit deri në muajin nëntor të këtij viti.
Mësohet se kërkesa është firmosur nga bashkëkryetari i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, dhe ai i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, dhe i është dorëzuar tashmë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, si edhe Konferencës së Kryetarëve.
Në dokumentin e paraqitur, palët argumentojnë se shtyrja e afatit është e domosdoshme për të krijuar hapësirën e nevojshme për arritjen e një dakordësimi politik. Sipas tyre, konsensusi mes forcave politike është një parakusht përpara se të kalohet në fazën teknike të hartimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Zgjatja e afatit të punës së Komisionit të Posaçëm ishte paralajmëruar edhe më herët nga përfaqësuesit e palëve politike. Megjithatë, ky zhvillim ngre pikëpyetje lidhur me kohën që do të mbetet në dispozicion për miratimin dhe zbatimin e ndryshimeve të mundshme në legjislacionin zgjedhor.
Vetë bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, në një deklaratë të fundit në Kuvend, la të kuptohet se koha mund të mos jetë e mjaftueshme për hartimin dhe miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor, duke lënë të hapur mundësinë që zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 të zhvillohen mbi bazën e kuadrit aktual ligjor.
