AKTUALITET, 6 November 2026, 11:59

Inspektimet dhe biznesi, Rama: Ekonomia po rritet, ulëm dhe TVSH-në. Sipërmarrja duhet të jetë në qendër të zhvillimit ekonomik!

Inspektimet dhe biznesi, Rama: Ekonomia po rritet, ulëm dhe TVSH-në.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e krijimit të një sistemi inspektimi që nuk rëndon sipërmarrjen, por e mbështet atë dhe nxit zhvillimin ekonomik.

Gjatë fjalës së mbajtur sot (6 nëntor) në konferencën e organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm mbi Investimet dhe Përmbushjen e Kërkesave Ligjore, Rama deklaroi se inspektimi nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por një funksion që ushtrohet pa krijuar barriera për bizneset.

“Duhet të kemi parasysh se në fund të ditës inspektimi nuk është një qëllim në vetvete, por një funksion që duhet të zhvillohet pa u kthyer në një barrë për sipërmarrjen. Dhe nuk duhet ta harrojmë asnjëherë që në fund të ditës sipërmarrja dhe suksesi i saj janë parakushti i rritjes së ekonomisë, i rritjes së mundësive për rishpërndarje të të ardhurave, për punësim dhe për rritje të cilësisë së jetës në tërësi”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë e lidhi rritjen ekonomike me mundësitë e krijuara për të ndërmarrë politika lehtësuese për qytetarët, duke përmendur uljen e TVSH-së për produktet e shportës dhe ndërhyrjet në çmimin e naftës në pompë.

“Kështu që, nëse sot ne jemi në një moment të transformimit tonë ku qeveria ia doli të ulë TVSH-në për të gjitha produktet e shportës, kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i një ekonomie që rritet. Dhe një ekonomi që rritet është pasqyrë e një sipërmarrjeje që rritet, përmirësohet dhe krijon më shumë për të gjithë ne së bashku”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit i jep qeverisë më shumë mundësi për të rishpërndarë të ardhurat dhe për të ndërmarrë masa lehtësuese, pa cenuar zhvillimin e ekonomisë dhe aktivitetin e sipërmarrjes.

“Nëse sot ne jemi në një situatë ku e kemi të mundur që të bëjmë një ndërhyrje deri dje të dëshiruar, por të pamundur, jo vetëm në TVSH, por edhe drejtpërdrejt në çmimin e naftës në pompë, kjo vjen si rezultat i rritjes së ekonomisë, nga e cila buxheti i shtetit mbledh më shumë të ardhura dhe falë tyre qeveria është në gjendje të rishpërndajë më shumë dhe të gjejë mënyrën se si të gjitha këto lehtësime nuk e cenojnë, por përkundrazi, e mbështesin ekonominë dhe mundësinë e sipërmarrjes për të vijuar më tutje”, tha Rama.

Një tjetër fokus i fjalës së kryeministrit ishte politika e strehimit, ku përmendi mundësinë e krijimit të lehtësirave për çiftet e reja, studentët dhe familjet me të ardhura mesatare, përmes bashkëfinancimit të qirave.

“Nëse ne sot jemi në kushtet ku mund të bëjmë edhe politikë strehimi, të krijojmë hapësira të reja për çiftet e reja, për studentët, mund të bëhemi si qeveri bashkëfinancues të qirave që janë të larta për ata që jetojnë me të ardhura mesatare, kjo përsëri është rezultat i rritjes së ekonomisë. Dhe rritja e ekonomisë është fryt i suksesit të përbashkët të sektorit publik dhe privat, por që në qendrën e tij të gravitetit ky sukses ka sipërmarrjen”, deklaroi Rama.