AKTUALITET, 15 July 2026, 16:29

Debati prek edhe Shqipërinë/ Specialistët: Një orë fikse ndikon në shëndet, ekonomi e turizëm

Në Shqipëri dy herë në vit akrepat e orës lëvizin. Në pranverë kalojnë në orën verore, ndërsa në vjeshtë rikthehen në atë dimërore. Një ndryshim që për disa është rutinë e thjeshtë, por për specialistët me ndikim në shëndet dhe ekonomi.

“Në jetën e përditshme kemi vënë re që ndryshimi i orës bën që në shumë raste njerëzit të kalojnë situata të vështira për shkak të vonesave në punë, uljes së përqendrimit, jep një farë nervozizmi apo irritabiliteti, duke ndikuar drejtpërdrejt në performancën në punë”, tha psikiatrja, Valentina Asabella. “Zhvillimi ekonomik në Shqipëri varet nga industria e turizmit dhe nëse do të vendosim se cila orë na përshtatet, sigurisht që do të na përshtatet ora verore”, u shpreh specialistja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Ndryshimi i orës ndikon në ritmin biologjik të njeriut. Organizmi ka nevojë për kohë për t’u përshtatur. Kalimi në orën dimërore sjell më pak dritë pasdite. Është ky një nga argumentet kryesore të atyre që mendojnë se Shqipërisë do t’i përshtatej më shumë ora verore gjatë të gjithë vitit.

“Me shumë diell, humor më i mirë. Unë si psikiatre do të mendoja që do të ishte më mirë të ishte e pandryshuar ora, në mënyrë të mos kemi dhe këto luhatje të humorit dy herë në vit për shkak të këtyre ndryshimeve. Me zgjimin herët në mëngjes, ka më shumë energji, motivacion, janë më produktivë në punë dhe gjatë pasdites kanë mundësi për të takuar miq e shokë, për t’u marrë me aktivitete sportive dhe për të organizuar ditën e nesërme”, shtoi psikiatrja.

Më shumë orë me dritë natyrale pas përfundimit të punës mund të ndikojnë në mënyrën se si njerëzit konsumojnë, lëvizin dhe organizojnë aktivitetet e tyre. Kjo mund të favorizojë disa sektorë të ekonomisë, veçanërisht turizmin dhe shërbimet.

“Në përgjithësi të gjithë bizneset që operojnë në Shqipëri do të kenë më shumë mundësi dhe kohë për rritje të fuqisë blerëse, do të kenë mundësi të rrisin marzhin e fitimit dhe si pasojë e rritjes së fitimit të çojnë në rritje pagash… Më tepër investime në teknologji dhe ato do të jenë më konkuruese në hapësirën ndërkombëtare. Në aspektin makro qeveria ka mundësi të mbledhë më shumë të hyra nga taksat dhe tatimet, të ketë pra më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit dhe pse jo të ofrojë më pas dhe më shumë shërbime publike”, tha më tej Radonshiqi.

Por ndryshimi i orës ka edhe pasoja praktike për disa sektorë, si ato në tregjet e energjisë. "Me diversifikimin e burimeve të energjisë, ne nuk varemi vetëm nga energjitë hidrike, por dhe nga diversitet tjetër. Me zgjatjen e ditës, me orën verore kërkohet eficencë më e mirë në prodhimin e energjisë.

Kostot e energjisë si për biznesin dhe familjarët nuk mund të konsiderohen të papërfillshme. Nëse flasim për biznesin, këto kosto të energjisë kalojnë në rritje të çmimit për produkte dhe shërbime… Me orën verore këto kosto janë më të vogla, përkthehen në çmime më të ulëta… dhe në konsumin familjar do të kenë faturë energjie me kosto më të ulët”, përfundoi specialistja e ekonomisë. Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të mbajnë gjatë të gjithë vitit orën verore, në Europë debati për ndryshimin e orës vijon, me në fillim të vitit 2019 Parlamenti Evropian mbështeti propozimin për ta ndaluar zhvendosjen e akrepave dy herë në vit nga 2021.

Po ku ndodhet vendi ynë në këtë debat? Qeveria nuk ka asnjë qëndrim për këtë çështje. Ndërkohë, përballë argumenteve të specialistëve, pyetja mbetet: a është më e përshtatshme për Shqipërinë një orë fikse gjatë gjithë vitit, apo akrepat duhet të vijojnë të ndryshojnë?