AKTUALITET, 15 July 2026, 15:55

‘Territorialja’/ Mazniku: Ekspertët dolën me 2 raporte, t’i dëgjojmë propozimet e tyre!

Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh sot për të diskutuar mbi ecurinë e punës dhe raportet e paraqitura nga ekspertët.

Gjatë fjalës së tij, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku ka propozuar që përpara seancës plenare të datës 23, ku do të bëhet një raport për punën e Komisionit, të dëgjohen konkluzionet  e ekspertëve, të cilët kanë dalë me 2 raporte.

Ekspertet e propozuar nga opozita kanë dalë me një raport të tyren, ndërsa ata të propozuar nga mazhoranca kanë dalë me raport më vete. “U dakordësua që të marrim një numër ekspertësh për tre fushat e punës, për tërritorin, për komptetencat, për financat. Ishte një grup ekspertësh, që në teori, pavarësisht se ishin propozuar nga të dy palët politike, duhet të punonin si një grup i përbashkët ekspertësh dhe të vinin me një raport të përbashkët të gjetjeve. Par fat të keq nga ana e procedurës kjo ka qenë e pamundur dhe ne kemi dorëzuar në sekretariatin teknik të komisionit 2 raporte. 1 raport nga ekspertët e propozuar nga opozita dhe një raport të propozuar nga ekspertët e mazhorancës.

Unë kam kërkuar që të kemi sot një seancë që të dëgjojmë gjetjet e raporteve të ekspertëve, t’i japim nga 45 minuta kohë secilit grup ekspertësh dhe më pas nga këto gjetje të bëjmë një diskutim si ecet përpara. Mendoj se në respekt të punës së ekpertëve, para se ne të shkojmë në seancën e datës 23 për të bërë një raport në atë seancë për punën e komisionit, është shumë e domosdoshme të dëgjojmë edhe konkluzionet e ekspertëve, si në fushën e kompetencave, si në fushën e financave dhe në aspektin territorial. Ky është propozimi jonë për çështjen e axhendës”, tha mes të tjerash Mazniku.