TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje tronditëse është zbuluar në qytetin Orange, në juglindje të Francës, ku autoritetet kanë gjetur eshtrat e pesë foshnjave në banesën e një çifti që vetëm pak ditë më parë kishte sjellë në jetë një fëmijë të shëndetshëm.
Sipas prokurorisë franceze, zbulimi u bë nga partneri i gruas 32-vjeçare, i cili kishte mbetur vetëm në banesë pasi ajo lindi në shtëpi të dielën dhe më pas u transportua në spital. Burri, i shqetësuar pasi kishte mësuar me vonesë për shtatzëninë e partneres së tij, vendosi të kontrollonte apartamentin, ku gjeti mbetje që dyshoi se ishin njerëzore. Ai njoftoi menjëherë spitalin, i cili më pas informoi autoritetet.
Policia kreu kontroll në banesë të hënën në mbrëmje, ndërsa mjeku ligjor konfirmoi se mbetjet dhe trupat e dekompozuar i përkisnin pesë foshnjave. Autoritetet kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë dhe analizave laboratorike për të përcaktuar shkaqet e vdekjes dhe identitetin e plotë të viktimave.
Prokuroria ka nisur një hetim paraprak për vrasjen e të miturve nën moshën 15 vjeç, ndërsa nëna 32-vjeçare, e cila ndodhet ende në spital, nuk është marrë ende në pyetje. Çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë, të moshës tetë dhe nëntë vjeç, dhe jetonte në katin e dytë të një ndërtese të vjetër në qendër të qytetit Orange. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të këtij rasti të rëndë.