BOTA, 28 July 2026, 18:02

Pas ditësh beteje me zjarret, Spanja heq evakuimet dhe hap rrugën për kthimin e banorëve

Autoritetet spanjolle kanë hequr urdhrin e evakuimit për 13 komunitete në rajonin e Madridit dhe në Castile dhe Leon, pas përmirësimit të situatës me zjarret masive që kanë përfshirë vendin. Ministria e Brendshme njoftoi se masa hyri në fuqi të hënën në orën 17:00 sipas kohës lokale, duke i lejuar banorët të nisin rikthimin në shtëpitë e tyre.

Në zonat e prekura, përfshirë Chapineria dhe Navas del Rey, të cilat ishin evakuuar plotësisht disa ditë më parë, u krijuan radhë automjetesh pasi qytetarët u njoftuan për heqjen e kufizimeve. Zjarrfikësit spanjollë kanë bërë përparime në përballjen me flakët, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga erërat e forta jugore, me shpejtësi që mund të arrijnë deri në 30 kilometra në orë.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 63 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të zjarreve, të cilat kanë shkatërruar rreth 770 mijë hektarë tokë në perëndim të kryeqytetit spanjoll.

 

Kryeministri Pedro Sanchez vlerësoi punën e zjarrfikësve dhe forcave ushtarake, duke thënë se ndërhyrja e tyre në "orë shumë të vështira dhe kritike" ka ndihmuar në ndryshimin e situatës. Qeveria spanjolle e ka cilësuar këtë valë zjarresh si një nga më të rëndat në historinë e kohëve të fundit të vendit.

Ndërkohë, në zonën pranë Valencias, zjarret kanë shkaktuar edhe një viktimë, ndërsa të paktën 70 mijë hektarë sipërfaqe janë djegur.