BOTA, 27 July 2026, 19:28

Zjarre masive në Portugali! Mbi 1 mijë zjarrfikës në terren për përballimin e flakëve

Disa vatra zjarri kanë shpërthyer këtë pasdite në veri dhe qendër të Portugalisë, duke mobilizuar mbi 1 mijë zjarrfikës, të mbështetur nga 20 avionë dhe helikopterë për shuarjen e flakëve.

Sipas agjencisë portugeze të mbrojtjes civile, zonat më problematike janë Santarem, Guarda, Braga dhe Bragança, ku zjarret kanë prekur kryesisht sipërfaqe me shkurre. Situata është përkeqësuar nga rritja e temperaturave në vend, të cilat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në rajonet qendrore dhe jugore të Portugalisë.

Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) ka paralajmëruar se rreziku i zjarreve është aktualisht “shumë i lartë” në pothuajse të gjithë territorin e vendit. Portugalia përballet pothuajse çdo verë me zjarre të mëdha pyjore. Këtë vit, zjarri më i rëndë ishte ai në zonën e Viseut, rreth një muaj më parë, ku u shkatërruan rreth 130 mijë hektarë bimësi.

Gadishulli Iberik konsiderohet një nga rajonet më të prekura nga pasojat e ndryshimeve klimatike, të cilat kanë sjellë valë më të shpeshta të të nxehtit dhe periudha më të gjata thatësire. Vitin e kaluar, Portugalia regjistroi verën më të nxehtë që nga viti 1931, sipas të dhënave të autoriteteve meteorologjike.