AKTUALITET, 14 October 2026, 18:43

Flakët dhe përplasjet në Tiranë, Koçiu: Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar

Flakët dhe përplasjet në Tiranë, Koçiu:

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar nga protestat dhe aktet e dhunës në Tiranë.

Koçiu ka dënuar dhunën dhe dëmtimin e pronës, duke rikujtuar pasojat që, sipas saj, ka sjellë kaosi në të kaluarën. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi, vetëpërmbajtje dhe ruajtjen e institucioneve dhe sigurisë publike.

“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot.

Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.

Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari.

Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, ka shkruar zëvendëskryeministrja në “Facebook”.