TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një fatkeqësi më e madhe se ajo e mos-hapjes , apo hapjes me kusht të negociatave, po i vjen rreth e qark Shqipërisë.
Liderja e njohur demokratike, kryetarja e grupit demokrat, që tani e njeh i madh dhe i vogël dhe të gjithë ndërkombëtarët, e cila drejtohet dhe udhëzohet nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zonja Rudina Hajdari, në këto orët e fundit, është e rrezikuar dhe herë bie dhe herë ngrihet, nga posti i kryetares.
Korab Lita, një nga nëntë anëtarët e grupit demokrat, që s'ka parti, ka dalë në një konferencë shtypi, ku në emër të shtatë anëtarëve, ka shpallur rrëzimin nga posti i kryetarllëkut Rudinën.
- Tani e tutje, unë jam kryetari, - ka deklaruar Lita në konferencë.
Por, rrëzimi i beftë i lideres Hajdari, krijoi një shqetësim të madh tek mazhoranca, e cila menjëherë aktivizoi dy votëblerësit me nam të saj, çiftin Damian Gjiknuri - Arben Ahmetaj. Sapo morën urdhrin, ata iu lëshuan punës për blerjen e firmëtarëve kundër Rudinës.
I pari që iu përgjigj ofertës së kthimit të firmës, ishte deputeti i mençur demokratik nga Fieri, Halit Valteri.
Në një letër drejtuar Gramoz Ruçit, Halit Valteri, konfirmoi tërheqjen e firmës për shkarkimin e Rudina Hajdarit, duke i deklaruar Ruçit, se "nëse ky vendim qëndron, unë dhe disa shokë të tjerë do të japim dorëheqjen nga grupit demokrat".
Puna dhe oferta e madhe e çiftit Gjiknuri- Ahmetaj, detyruan njëkohësisht edhe deputeten Fatjona Dhimitri, që të tërhiqte menjëherë firmën e saj kundër Rudinës. Të dy dorëheqjet, janë pothuajse të njëjta. Kjo për të trembur Gramoz Ruçin dhe mazhorancën, që puna të mos shkojë deri tek prishja e grupit demokrat, pa të cilin, parlamenti bie, ngaqë Shqipëria e shkretë mbetej edhe pa opozitën e re.
Tërheqja e firmave të dy deputetëve, për largimin e Rudinës dhe shpalljen e Litës si kryetar i grupit demokrat, i hapi lideres Rudina Hajdari udhën, jo vetëm për tu kthyer në detyrën e kryetares, por edhe për të kërcënuar puçistët, që kishin ngritur krye.
Ja ç'thotë Rudina Hajdari pas dy firmave të tërhequra:
- Përveç një protagonizmi të shëmtuar mediatik, Korab Lita dhe gangsterët e tij, kanë ushtruar presion ndaj deputetëve, përfshirë edhe zonjën Fatjona Dhimitri, e cila ka firmosur për tërheqjen e këtij puçi. Pamjet filmike të disponuara nga zyrat e Kuvendit, do t'i çohen prokurorisë, - kërcënon ajo.
Se çfarë do të ndodhë më tej, me lideren demokratike, Rudina Hajdari dhe me anëtarët e grupit demokratik pa parti, askush nuk mund ta përcaktojë, por vetë Gramoz Ruçi dhe sidomos udhëheqësi ynë Rama, është interesuar, që Rudinës të mos i hyjë gjemb në këmbë. Kjo është një mazhorancë, që mund ta rrëzojë edhe Rudina Hajdari me tetë anëtarët e tjerë të grupit demokratik...
Për këtë shkak, është menduar deri atje, sa edhe vetingu i nënës së Rudinës, të bëhet në fund të këtij procesi, pasi të ketë kaluar gjithë drejtësia në sitë dhe mama Fatmira të kapi ça të kapi (KÇK) dhe pastaj të dalë në pension...
/TPZ.al/ Tej e këtej/