BOTA, 2 November 2026, 21:18

“Luftuam për 250 vjet për ta bërë vendin tonë të madh”/ Trump sulmon demokratët para zgjedhjeve në SHBA: Mbështesin xhihadistët dhe përbëjnë rrezik për vendin

“Luftuam për 250 vjet për ta bërë vendin tonë

Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj demokratëve në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, duke i cilësuar kandidatët e tyre si të rrezikshëm dhe duke i akuzuar për mbështetje ndaj xhihadistëve dhe Vëllazërisë Myslimane.

Mediat e huaja raportojnë se, gjatë fjalimit të tij të fundit para votimeve të së martës, Trump deklaroi se demokratët po mbështesin politika që, sipas tij, kërcënojnë të ardhmen e Shteteve të Bashkuara.

“Ne luftuam për 250 vjet për ta bërë vendin tonë të madh. Ata nuk do të na shkatërrojnë”, u shpreh presidenti amerikan, duke iu referuar kundërshtarëve politikë.

Fjalimi u mbajt në Uashington, ku Trump inauguroi gjithashtu Pishinën Reflektuese, një nga monumentet më të njohura të kryeqytetit amerikan, pas një procesi rinovimi që është shoqëruar me kritika për cilësinë e punimeve dhe ndryshimet në projekt.

Presidenti zbuloi se gjatë diskutimeve për projektin ishte menduar edhe mundësia që liqeni të merrte emrin e tij, si “Pishina Reflektuese Trump”, por e cilësoi këtë ide si shaka.

Gjatë ceremonisë, ai kritikoi paraardhësit Barack Obama dhe Joe Biden, duke pretenduar se gjatë administratave të tyre ishin shpenzuar shuma të mëdha pa zgjidhur problemet e objektit, ndërsa e përshkroi rezultatin e ndërhyrjes së fundit si një vepër arti.

Trump foli gjithashtu për uljen e kriminalitetit në Uashington, rolin e Gardës Kombëtare dhe ndërhyrjet e realizuara në kryeqytet.

Ai vlerësoi punën e administratës së tij, duke theksuar se kishte përmbushur premtimet e dhëna gjatë fushatës.

Fjalimi shërbeu si një tjetër përpjekje e presidentit për të mobilizuar bazën republikane në orët e fundit përpara një procesi zgjedhor që konsiderohet vendimtar për balancat politike në Kongresin amerikan.