BOTA, 5 August 2026, 22:47

Dokumentet e FBI-së zbulojnë hetimin ndaj Trumpit si “agjent rus”, Shtëpia e Bardhë: Nuk kishte prova

Dokumente të Byrosë Federale të Hetimit (FBI) kanë zbuluar se presidenti amerikan Donald Trump ishte hetuar nën dyshimet nëse mund të ishte “agjent rus”.

Dosjet e publikuara së fundmi nga Shtëpia e Bardhë tregojnë se FBI-ja kishte hapur një hetim sekret me emrin e koduar “Oxferd Comma”, pasi Trump shkarkoi drejtorin e atëhershëm të FBI-së, James Comey, në maj të vitit 2017, raportoi media britanike “Express”.

Hetimi ndaj Trumpit ishte pjesë e një hetimi më të gjerë të FBI-së mbi pretendimet për lidhje të mundshme mes fushatës presidenciale të vitit 2016 të Trumpit dhe Rusisë.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, hetuesit shqyrtuan nëse Trump po vepronte si një aset për Rusinë, megjithëse kjo teori nuk mbështetej nga prova. Sipas të njëjtit burim, hetimi nisi pas vendimit të Trumpit për shkarkimin e Comeyt dhe më pas u përfshi në hetimin më të gjerë të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse.

Zyrtari tha se në përfundim u arrit në konkluzionin se hetimi nuk kishte bazë.

“Pothuajse gjithçka që FBI-ja kishte në zotërim në atë kohë e kishte hedhur poshtë ose e kishte përjashtuar mundësinë që Trumpi apo fushata e tij po bashkëpunonte me Rusinë”, deklaroi zyrtari.

Trumpi e shkarkoi Comeyn në maj të vitit 2017, disa muaj pasi kishte marrë detyrën si president në mandatin e tij të parë.

Në atë kohë, Shtëpia e Bardhë deklaroi fillimisht se shkarkimi i Comeyt lidhej me mënyrën se si ai kishte menaxhuar hetimin për përdorimin e një serveri privat emaili nga Hillary Clinton gjatë kohës që ajo shërbente si Sekretare e Shtetit.

Megjithatë, raporti i përgatitur më vonë nga Robert Mueller theksonte se Trump ishte i irrituar sepse Comey kishte refuzuar të deklaronte publikisht se presidenti nuk ishte personalisht nën hetim për lidhjet e mundshme me Rusinë.

Shkarkimi i Comeyt u bë më pas një nga faktorët që çuan në hapjen e një hetimi më të gjerë ndaj Trumpit.