BOTA, 5 August 2026, 21:48

Izraeli nis sulme të reja në Libanin jugor, akuzon Hezbollahun për shkelje të armëpushimit

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka nisur sulme në jug të Libanit, duke thënë se veprimi erdhi si përgjigje ndaj asaj që e cilëson si shkelje të armëpushimit nga Hezbollahu.

Sulmet u kryen në një kohë kur negociatat mes Izraelit dhe qeverisë libaneze vijojnë në Romë, ku po diskutohen zhvillimet e sigurisë në rajon.

“Në përgjigje të një shkeljeje flagrante të armëpushimit nga organizata terroriste Hezbollah, ushtria izraelite nisi sulme të synuara në Libanin jugor”, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.

Pak më herët, ushtria kishte lëshuar një urdhër evakuimi për banorët e një fshati në jug të Libanit, për shkak të sulmeve të planifikuara. Ky ishte urdhri i parë i tillë brenda një muaji.

“Për sigurinë tuaj, duhet të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja”, deklaroi zëdhënësja e ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Ella Waweya, përmes platformës X, duke iu drejtuar banorëve të komunitetit Al Mansouri.

Urdhri i evakuimit u dha ndërsa Libani dhe Izraeli po zhvillojnë bisedime në Romë, nën patronazhin e Shteteve të Bashkuara, për vendosjen e ushtrisë libaneze në “zonat pilot”, nga të cilat forcat izraelite pritet të tërhiqen, me kusht që Hezbollahu të çarmatoset.