AKTUALITET, 4 September 2026, 10:53

Detaje/ Grupi i armatosur te ‘Regina Palm? Pretendimi i Bedinajt për gjobë 5 mln euro, Muça e mohon! Biznesmeni iku me ‘Audin’ që u gjet i djegur

Përplasja mes dy biznesmenëve, Vasil Bedinaj (me disa hotele në Vlorë) dhe Luan Muca, dje në hotelin e Bedinaj “Regina Palm Resort” në Radhimë, coi në pranga 5 persona, përfshirë biznesmenin e njohur të Delta Group, dhe Deutsch Color, Luan Muça, dhe 3 persona nga grupi i tij, dhe një nga grupi i Bedinaj. 

E gjithë përplasja mes dy biznesmenëve të njohur Muça dhe Bedinaj ka nisur në orën 11:30 të 3 shtatorit. Pasi Luan Muça mbërriti me grupin e armatosur në ‘Regina Palm’ në Radhimë të Vlorës është futur brenda në ambientet e resortit, ku Bedinajn e ka gjetur të ulur në një tavolinë. Report Tv solli edhe pamjet nga kamerat e sigurisë që treguan momentin kur Bedinaj rrethohet nga personat e armatosur. Në dëshminë e dhënë grupit hetimor, biznesmeni Bedinaj ka pretenduar se pronari i Delta Group i ka vendosur 5 mln euro gjobë dhe i ka kërkuar “të zhduket” nga Shqipëria brenda 48 orëve.

Bedinaj mësohet se ka deklaruar se grupi i armatosur i Luan Muçës, nuk ka lejuar punonjësit e tjerë të stafit t’i afrohen, duke i kërcënuar, ndërsa vetë ai pretendon se është qëlluar në kokë.

“Mendova se do të takoheshim për çështje biznesi, pasi ai merret me hidrosanitare. Ndërkohë që kam qenë vetëm në ‘Regina Palm’, Luani ka ardhur dhe ka thënë: ‘Dua 5 milionë euro dhe ke afat 48 orë të zhdukesh nga Shqipëria’. Më pas, m’u afruan shumë persona dhe nuk më linin të çohesha. Punonjës të tjerë të stafit janë mbajtur nën kërcënimin e armës që të mos afroheshin. Disa prej truprojave të tij më qëlluan në kokë”, ka dëshmuar ai.

Por ndryshe nga Bedinaj që pretendon për gjobëvënie, biznesmeni tjetër i mohon këto akuza. Në deklaratën e parë që ka dhënë në spital, mësohet se Luan Muça ka deklaruar se “nuk kam vendosur gjobë”. Biznesmeni bashkë me dy të arrestuarit e tjerë, Klaudio dhe Mandrit Lleshaj,  pronar në kompaninë e sigurisë “Swat Security", kanë pretenduar se konflikti me Bedinajn lidhet me një çështje pronësie.

Grupi hetimor po verifikon disa pista, përfshirë këtu pretendimin e Bedinajt për gjobëvënie si edhe ndonjë konflikt të mundshëm pronësie, që është artikuluar edhe në disa media.

Ka qenë vetë Bedinaj që ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe më pas grupi i armatosur, punonjës sigurie të “Sëat Security”, bashkë me Luan Muçën janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ky i fundit, siç thonë burime për Report Tv, fillimisht ka ikur me “Audi A8” që u gjet i djegur në Radhimë. Më pas ka ndërruar makinë dhe bashkë me dy pronarët e “Swat Security” u larguan me një Range Rover të zi luksoz. Policia e pikasi mjetin në zonën e quajtur Rrethi i Alikokës, por biznesmeni 55-vjeçar Luan Muça bashkë me 2 të tjerët kanë refuzuar urdhrin e policisë për të ndaluar dhe janë larguar. Në tentativë për tu arratisur, mjeti Range Rover u përplas dhe Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj përfunduan në spital.