TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dëshmia e Robert Dukës, 50-vjeçarit që një ditë më parë ra në prangat e ‘bluve’ të Tiranës për grabitjen e një banke të nivelit të dytë, ka zbardhur detaje të reja.
Robert alias Albert Duka dyshohet se pjesën më të madhe të shumës prej afro 120 mijë eurosh, të vjedhur në dy filialet e bankave “OTP Bank” dhe “Raiffeisen Bank”, e ka shpenzuar në disa kazino të Tiranës.
Pjesën më të madhe të parave të grabitura në dy filiale bankare në Tiranë, me vlerë afër 120 mijë euro, Robert alias Albert Duka ka deklaruar se e ka përdorur për të luajtur në disa kazino. Për këtë arsye, grupi hetimor u ka kërkuar informacione këtyre subjekteve, për të verifikuar nëse Duka ka qenë klient i regjistruar dhe për të zbardhur lëvizjet e tij.
Ndërkohë, 6 mijë euro nga paratë e grabitura mësohet se ua ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë euro secilit. Të dy personat janë marrë në pyetje dhe e konfirmojnë se bëhet fjalë për hua që ia kishin dhënë Dukës. Hetuesit po verifikojnë edhe këtë pjesë të dëshmisë, për të përcaktuar destinacionin e parave dhe nëse persona të tjerë kanë përfituar prej tyre.
Pjesa më e madhe e parave të gjetura gjatë hetimeve është sekuestruar në banesën e tij në Vlorë, ndërsa në Tiranë 50-vjeçari jetonte me qira.
Në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, e cila punon gjithashtu në një bankë të nivelit të dytë. Për shumën e parave që ndodhej në banesë, ajo ka deklaruar se bëhej fjalë për kursime familjare, të siguruara nga shitja e një apartamenti në kryeqytet.
Kjo shumë tashmë është sekuestruar nga policia, pas kontrolleve të ushtruara nga efektivët e Tiranës në qytetin e Vlorës.
Dy personat janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se paratë ua kishte dhënë Robert Duka për t’u shlyer një borxh që ai kishte ndaj tyre. Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e Dukës, Policia Kriminale ka arritur të sekuestrojë vetëm 2 200 euro.
Gjatë komunikimit me oficerët e policisë, Albert Duka u ka treguar se paratë dhe eurot e vjedhura në dy bankat, më 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026, i kishte shpenzuar duke luajtur në disa kazino në Tiranë.
Për të verifikuar këto pretendime, policia dhe prokuroria mësohet se u kanë kërkuar sot informacion katër kazinove të njohura në kryeqytet, për të konfirmuar nëse Albert Duka ka qenë klient i regjistruar i tyre. Në rast se po, institucioneve u është kërkuar të vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës, si dhe pamjet filmike.
Megjithatë, pretendimin se paratë e grabitura i kishte shpenzuar në kazino, Robert Duka nuk e ka dhënë në një deklarim të mbajtur me procesverbal. Këto pretendime ai i ka shprehur vetëm gjatë komunikimit me punonjësit e policisë dhe prokurorin e çështjes.
Mësohet se Robert Duka nuk ka dhënë deklarim me procesverbal, pasi një gjë e tillë nuk është lejuar nga avokati i tij mbrojtës.
Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e Robert Dukës, e cila punon pranë një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Ajo ka deklaruar se shumën prej 120 mijë eurosh e kishin siguruar nga shitja e një apartamenti në zonën e stadiumit “Air Albania”.
Gruaja ka pohuar para policisë se nuk kishte pasur dijeni për përfshirjen e bashkëshortit të saj në grabitjet e bankave. Pas dhënies së deklarimeve, ajo është lënë e lirë, ndërsa bashkëshorti i saj është arrestuar për veprën penale “Grabitje me armë të bankave”, e cila parashikon një dënim nga 10 deri në 20 vite burgim.
Ditën e nesërme pritet që Albert Duka të dalë përpara Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurisë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbuluar nëse Duka ka pasur bashkëpunëtorë në realizimin e dy grabitjeve. Policia dhe prokuroria e Tiranës po kryejnë veprime hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, pasi dyshohet se një person i dytë e ka larguar me automjet autorin pas grabitjes së “OTP Bank”, më 2 qershor 2026.
Edhe mënyra e realizimit të grabitjes në filialin e “Raiffeisen Bank” paraqet ngjashmëri me atë të “OTP Bank”.
Sipas hetuesve, të dyja grabitjet janë kryer në datën 2 të muajve përkatës. Më 2 qershor 2026, Albert Duka, i maskuar, ka hyrë me shpejtësi në ambientet e “OTP Bank” dhe, pasi ka marrë një shumë parash nën kërcënimin e armës, është larguar nga zona me një monopatinë elektrike.
E njëjta siluetë është konstatuar edhe më 2 nëntor 2026, në ambientet e “Raiffeisen Bank”. Edhe në këtë rast, Albert Duka, i maskuar dhe nën kërcënimin e një arme që në pamje ngjante me pistoletë, ka hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe ka arritur të marrë një shumë parash nga arka.
Autori dyshohet se ka përdorur të njëjtën skemë largimi si në rastin e parë. Ai është larguar qetësisht me monopatinë elektrike, të cilën, pasi ka përshkuar një distancë të caktuar, e ka futur në një automjet të marrë me qira. Më pas është larguar me makinë, duke shmangur kështu kontrollet e policisë.
Por e kaluara kriminale e 50-vjeçarit është më e gjatë sesa dy bankat e grabitura brenda 5 muajve në Tiranë.
Në vitin 2010, Duka ishte arrestuar në Greqi, së bashku me tre bashkëkombës të tjerë, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, e dyshuar për kryerjen e 28 grabitjeve të armatosura në supermarkete në të gjithë rajonin e Atikës. Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2007–2010, përfitimet e siguruara nga këto grabitje kapnin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove.
Pas arrestimit, 50-vjeçari u dërgua me burg, por në vitin 2016 arriti të arratisej nga burgu i Tirinthës, së bashku me disa të dënuar të tjerë. Ai qëndroi në arrati për rreth dy vite, deri në vitin 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në vitin 2019, ai u lirua nga burgu me kusht.
Ndërkohë, pas arrestimit të tij të fundit, Policia e Tiranës pritet të nisë edhe një hetim pasuror ndaj Robert Dukës.