BALLKAN, 30 September 2026, 21:33

Kurti për Gjykatën Speciale: Asnjëherë s’kam pritur drejtësi, këtë javë përgjigjja për nismën e PDK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se asnjëherë nuk ka pritur drejtësi nga Gjykata Speciale, ndërsa ka bërë të ditur se këtë javë institucionet do t’i përgjigjen iniciativës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja ka dorëzuar në Kuvend dhe Qeveri propozimet për ndryshimin e këtij ligji, duke synuar që çështjet që nuk lidhen me akuzat për trafikim organesh të barten në Kosovë, për shkallët e tjera të gjykimit. Iniciativa u bë pas dënimit nga Specialja me 81 vjet burgim për katër udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se iniciativën e PDK-së e kanë dërguar në zyrën ligjore të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Ministrinë e Financave.

“Është procedurë e rregullt. Nuk duam të bëjmë shkelje, s’kemi pse. Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë, këtë javë do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, po ashtu edhe vlerësimin financiar të buxhetit nga Ministria e Financave e menjëherë do ta përcjellim për Kuvend”, ka thënë ai.

Më tej, Kurti u shpreh se asnjëherë nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij për Gjykatën Speciale dhe për këtë arsye, siç tha ai, nuk ka pritur drejtësi.

“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën. Akuza e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet medoemos të korrigjohet në apel. Ka munguar transparenca, përveç se gjykatë mono-etnike. Dhe e treta janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që dëgjuam më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe. Por vendimi i plotë është mijëra faqe”, ka deklaruar Kurti.