TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Rusia ka shpallur fitoren në Bahmut, qytet në lindje të Ukrainës, ndonëse zyrtarët ukrainas pretendojnë se luftimet vazhdojnë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, më 21 maj, në Japoni, tha se pak ka mbetur nga Bakhmuti dhe se qyteti është shkatërruar pothuajse plotësisht.
I pyetur nëse Bahmuti ishte nën kontrollin e Ukrainës, Zelensky nuk ishte plotësisht i qartë, por tha: “Mendoj që jo”, gjë që u interpretua si konfirmim i humbjes së Bakhmutit.
“Sot, Bahmuti është vetëm në zemrat tona”, tha Zelensky në Hiroshimë, ku ishte i ftuar në samitin e grupit G7, ku morën pjesë liderët e vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në botë.
Megjithatë, zyra e presidentit ukrainas më vonë sqaroi se Zelensky nuk deklaroi se qyteti kishte “rënë”.
Zëdhënësi i presidentit ukrainas, Sergiy Nykyforov, mohoi pretendimet se Bahmuti kishte rënë në duart e forcave ruse.
Ai i tha CNN-it se përgjigja e Zelenskyt, “mendoj që jo”, i referohej pretendimeve ruse se ata kishin pushtuar qytetin.
“Presidenti mohoi që Bahmut ishte marrë”, tha Nykyforov.
Deklarata e presidentit ukrainas vjen disa orë pasi Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e ushtrisë private Wagner, të mbështetura nga trupat ruse, kishin marrë Bakhmutin.
Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, më herët publikoi një video duke pretenduar se forcat e tij kontrollonin të gjithë qytetin, megjithëse qeveria ukrainase e mohoi shpejt këtë.
Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar ushtarët “për pushtimin e qytetit”, me mesazhin se më të merituarit do të shpërblehen, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Këto pretendimet vijnë pasi Ukraina thuhet se realizoi përparim të prekshëm në fushën e betejës, në rrethet në veri dhe në jug të Bakhmutit.
Këto pretendime, gjithashtu, vinë në kohën kur Ukraina po përgatitet për një kundërofensivë, e cila pritet në një ose më shumë lokacione përgjatë vijës së betejës, e cila është e gjatë më shumë se 1.000 kilometra.
Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se numri i ushtarëve rus të vrarë dhe të plagosur në Bakhmut , sillet ndërmjet 20.000 dhe 30.000, ndërsa edhe ushtria ukrainase gjithashtu pagoi një çmim të rëndë.
Rusia dhe Ukraina kanë luftuar tash e disa muaj në Bahmut dhe beteja për atë qytet është më e gjata që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në fund të shkurtit 2022.