TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Të paktën 7 persona kanë humbur jetën dhe 8 të tjerë janë plagosur sot në Karaçi, qyteti më i madh i Pakistanit, pas shembjes së një ndërtese pesëkatëshe. Sipas autoriteteve, disa persona ndodhen ende të bllokuar nën rrënoja.
Rreth 100 persona banonin në ndërtesën e shembur, tha për agjencinë AFP një oficer lokal policie, Arif Aziz. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit dhe banorët e zonës po punojnë për të nxjerrë të mbijetuarit, pasi tragjedia ndodhi në orën 08:10 me orën lokae.
Sipas Saad Edhi nga fondacioni Edhi, që po merr pjesë në operacionin e shpëtimit, mendohet se nën rrënoja mund të ndodhen edhe 8 deri në 10 persona.
Një nga banorët, 30-vjeçari Shankar Kamho, që ndodhej jashtë në momentin e ngjarjes, tregoi për AFP: “Gruaja më telefonoi dhe më tha se ndërtesa kishte filluar të çante. I thashë të dalë menjëherë. Ajo shkoi të paralajmëronte fqinjët, por një grua i tha se ndërtesa ‘do të mbajë dhe 10 vjet’. Pastaj mori vajzën tonë dhe doli. 20 minuta më vonë, ndërtesa u shemb.”
Shtatë trupa janë nxjerrë deri më tani nga rrënojat dhe 8 të plagosur kanë marrë ndihmë mjekësore, sipas autoriteteve lokale të emergjencës.
Një tjetër banor, 70-vjeçari Jumho Maheswari, tha se gjashtë anëtarë të familjes së tij ndodheshin brenda apartamentit në katin përdhe kur ai doli për në punë. “E gjithë familja ime ndodhet nën rrënoja… vetëm mund të lutem që të dalin gjallë,” tha ai.
Ngjarje të tilla nuk janë të rralla në Pakistan, ku shpeshherë nuk respektohen rregullat e ndërtimit dhe përdoren materiale të dobëta. Në qershor 2020, një ndërtesë me 40 apartamente u shemb në të njëjtën zonë, duke shkaktuar 18 viktima.