BLOG, 11 Dhjetor 2022, 15:35

Debatet në Byronë Politike më 11 dhjetor 1990, Alia për lejimin e pluralizmit: Ne jemi të paaftë për t'i përballur

Debatet në Byronë Politike më 11 dhjetor 1990, Alia për

Politologu Afrim Krasniqi, në 32-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ka publikuar sot një pjesë nga bisedimet e mbajtura atë ditë në mbledhjen urgjente të Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Mbledhja drejtohej nga presidenti Ramiz Alia dhe në të merrnin pjesë anëtarët më të rëndësishëm të Byrosë Politike.

Aty po diskutohej peticioni i studentëve të një dite më parë, ku pika më kryesore ishte krijimi i një organizate të re politike të studentëve dhe të intelektualëve dhe kjo të kishte përfaqësues në Kuvendin Popullor. Ramiz Alia u thotë anëtarëve të Byrosë Politike se në qoftë se pranon këtë, ke pranuar pluripartizmin.” Jam dakord që ta pyesim Partinë për pluripartizmin, po këtë organizatë do ta pranojmë?”- u drejtohet ai anëtarëve të Byrosë të cilët kanë mendime të ndryshme, derisa Xhelil Gjoni thotë se ky problem do të vijë te “koka jonë”, ashtu siç edhe ndodhi pak muaj më vonë.

Dokumenti    

Retrospektivë, 11.12.1990. Mbledhje urgjente e Byrosë Politike. Peticioni i studentëve dhe pjesë nga diskutimet, pa koment shtesë.

Ramiz Alia: Siç e shikoni, të gjitha janë kërkesa të karakterit politik....

Çarçani: Le ta miratojmë si organizatë e pavarur e rinisë dhe inteligjencës së re.

Ramiz Alia: Problem është që, në qoftë se pranon këtë, ke pranuar pluripartizmin. Jam dakord që ta pyesim Partinë për pluripartizmin, po këtë organizatë do ta pranojmë?

Xhelil Gjoni: Unë prapë ngul këmbë në çështjen që shtrova, që duhet pyetur Partia.

Ramiz Alia: Dhe për këtë organizatë duhet pyetur Partia?

Foto Çami: Po nuk e vendosim dot ne këtë punë, shoku Ramiz, këtë ta dikton tjetri.

Xhelil Gjoni: Si ta diktoka tjetri? Tjetri mund të na diktojë që të pushtojë edhe Shqipërinë, do ta lejojmë ne?

Foto Çami: E kam fjalën që këto janë çështje që nuk i zgjidh Partia dhe u dashkemi të konsultohemi me Partinë.

Simon Stefani: Po kush e zgjidh?

Lenka Çuko: Partia e zgjidh. Ne të mos lejojmë që të krijohen parti të tjera.

Hekuran Isai: Si të mos e lejojmë? Po ai e ka krijuar partinë e vet.

Ramiz Alia: Ai e ka krijuar po nuk e pranon.

Lenka Çuko: Si e paska krijuar?

Xhelil Gjoni: Ata e kanë krijuar organizatën e tyre dhe ne jemi të paaftë për t'i përballur.

Xhelil Çuko: Janë mbledhur ca huliganë atje që duan të bëjnë ligjin.

Gjoni: Atje ca mjekërgjatë janë mbledhur.

Hekuran Isai: Jo, nuk është aq e lehtë situata. Problemet po bëhen shumë serioze.

Ramiz Alia: Ky problem është kaq serioz sa nuk ka ku shkon më.

Xhelil Gjoni: Kaq serioze është, sa do të vijë te koka jonë.

Ramiz Alia: Po, këtu do të vijë.

Debatet në Byronë Politike më 11 dhjetor 1990, Alia për