BLOG, 23 Nëntor 2022, 12:14

Fronti Perëndimor në kërkim të heronjve të gabuar

Fronti Perëndimor në kërkim të heronjve të gabuar

Lufta nuk ka mbaruar ende, dhe kundërpërgjigja mund të jetë e tmerrshme. Por në këtë moment, siç e tregoi tërheqja e rusëve nga Kerson, Davidi po e mposht Golian. Kjo falëgatishmërisë së ukrainasve për të mbrojtur veten por edhe mbështetjes perëndimore.

Një mbështetje që jo pak njerëz në Perëndim do të donin ta ndalonin. Edhe kjo luftë, ashtu si shumë ngjarje të tjera, dëshmon se shoqëritë perëndimore ndodhen aktualisht në një gjendje paradoksale. Nga njëra anë, e maksimalizojnë rëndësinë dhe dinjitetin e njerëzve, duke idhënë atyre një gamë të gjerë të drejtash individuale.

Nga ana tjetër, janë shoqëri në të cilat përpunohen dhe shpërndahen gjerësisht konceptet e jetës shoqërore dhe të historisë njerëzore, të cilat i zhvlerësojnë individët, njerëzit prej mishi dhe gjaku. Kjo me pasojë mohimin apo harresën e vetë arsyeve që e bëjnë të mundur ekzistencën e atyre të drejtave individuale këtu tek ne.

Në versionet më të sofistikuara, janë konceptet për të cilat kanë rëndësi vetëm “strukturat” – sociale, ekonomike etj që i japin formë individëve, dhe që i zbrazin këta të fundit nga çdo vullnet i tyre. Në versionet më të vrazhda, këta individë janë kukulla të stërvitura në duart e “fuqive shumë të forta” (fuqitë e mëdha, NATO, shumëkombëshet, kapitali financiar etj).

Por kujdes,nuk kemi të bëjmë me koncepte që mbeten të mbyllura në rrethe të kufizuara intelektuale. Jo, ato vërshojnë në komunikimin publik, depërtojnë kudo. Shumica e atyre qëmendojnë se në luftën që po zhvillohet në Ukrainë, e vetmja gjë që ka vërtet rëndësi është shmangia e luftës midis NATO-s dhe Putinit, i konsiderojnë si të parëndësishme idetë dhe vullnetet e njerëzve të zakonshëm.

Natyrisht, mospërputhja e këtyre qëndrimeve dëshmohet nga fakti se mbështetësit e tyre nuk do të ëndërronin kurrë të mendonin për veten në terma të tillë:për ta kukullat janë vetëm të tjerët. Këto koncepte kanë ndikuar shumë mbi mënyrën se si një pjesë e Evropës, një pakicë, por jo e parëndësishme, dhe gjithsesi shumë e dukshme dhe e zëshme, ka qenë e pranishme në komunikimin publik që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, dhe ndoshta do të ketë dhe më shumë peshë në fazën tjetër të konfliktit.

Armët e vendeve perëndimore, do të kishin qenë të kota në rast se ukrainasit, njerëzit e zakonshëm, nuk do të kishin vendosur të rezistonin, të mbronin veten, të dashurit e tyre, lirinë, vendin e tyre. Ata gjetën – siç ndodh për fat në histori – një udhëheqës (dhe njerëzit e tij) në lartësinë e kësaj sfide.

Por Zelenski nuk mund të kishte bërë asgjë nëse ukrainasit nuk do të kishin zgjedhur t’i bashkoheshin atij në një rezistencë, e cila në fillim dukej e dëshpëruar, dhe pa asnjë shans për fitore. Një vullnet për të rezistuar, që iu kundërvu mungesës së motivimit të ushtarëve rusë, të cilëve u duk e pakuptueshme pse ishin atje për të vrarë e për të vdekur.

Ashtu si në kohën e ndërhyrjes amerikane në Vietnam apo pushtimit rus të Afganistanit, ajo që bën dallimin real nuk është ndihma e jashtme – e cila ka qenë gjithmonë atje – por forca ose dobësia e motiveve dhe e bindjeve të luftëtarëve (nga njëra anë dhe tjetra), si dhe grupet njerëzore të përfshira.

Kjo shpjegon edhe arsyen pse ndonjëherë Davidi është në gjendje të mposhtë Golian.Megjithatë, ky nuk është një reflektim vetëm për të kaluarën. Por edhe të tashmen dhe të ardhmen. Shumë shpejt zërat e atyre në Evropë që do ta akuzojnë Zelenskin si lakmitar dhe arrogant, që dëshiron shumë (rikthim në kufijtë para pushtimit të Krimesë), do të bëhen gjithnjë e më këmbëngulës.

Është e qartë se komuniteti ndërkombëtar, duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar që lufta në Ukrainë të rikthehet në një luftë botërore. Një rrezik që buron ngafakti se autokratët nuk mund të pranojnë lehtësisht humbjet në luftë.

Herët a vonë ata do ta humbnin pushtetin, dhe në atë lloj regjimi, kjo nënkupton edhe humbjen e jetës. Të njëjtin fat do të kishin edhe besnikët e autokratit. Por është po aq e dukshme, ose duhet të jetë, se Zelenski nuk është vetëm. Ai duhet të japë llogari para një populli që ka kaluar nëpër një provë të tmerrshme, dhe vuajtjet e të cilit nuk mund të fshihen me një të rënë të lapsit.

Urrejtja për pushtuesin nuk do të shuhet. Ashtu si ai i kujtdo tjetër që do të kishte përjetuar një histori të ngjashme. Edhe sikur të ishte pacifisti më i thekur. Nëse negociatat do tëndodhin ndonjëherë, ato do të synojnë të gjejnë një ekuilibri të vështirë midis nevojës për të garantuar paqen në Evropë, dhe asaj për të mos mohuar të drejtat e një populli të sulmuar në mënyrë brutale.

Një efekt anësor i kësaj lufte – nëse në fund Rusia do të mposhtet – do të jetë me siguri fundi i simpatisë së përhapur që gëzon Putin në Evropë, “burri i fortë”, ai që është i aftë t’u bëjë ballë amerikanëve. Dështimi e shkatërron popullaritetin.

Natyrisht, pavarësisht nëse Putini do të mbetet apo jo në pushtet, përderisa Rusia nuk ka gjasa të bëhet një demokraci, kërcënimi i saj për Perëndimin, dhe veçanërisht për Evropën, nuk do të zbehet. Por të paktën, “heroi” kryesor dhe kampioni i sjelljeve anti–perëndimore në sytë e vetë anti–perëndimorëve tanë do të humbasë tërheqjen ndaj tij.

Sigurisht, herët a vonë, në vend të tij do të identifikohen heronj të rinj. Udhëheqësit kinezë? Sigurisht që nga Kina do të vijë një sfidë shumë e rrezikshme dhe tinëzare për shoqëritë perëndimore. Por nuk ka gjasa që Xi Jinping të ketë të njëjtin popullaritet në Evropë si Putin.

Pasi hendeku kulturor është shumë i madh. Megjithatë, le të rrinë të qetë armiqtë tanë të Perëndimit. Atyre nuk do t’u mungojnë heronjtë. Herët a vonë, do të dalë nga diku një tjetër kampion i ri i anti–perëndimorizimit. Edhe ai tenton të tregojë se ne të gjithë jemi kukulla (përveç atij dhe atyre që besojnë në kauzën e tij) në mëshirën e forcave djallëzore.

Mbase më vonë, një sipërmarrës do të shfrytëzojë rastin, dhe siç ndodhi me Çe Gevarën, do të fillojë të prodhojë bluza me figurën e heroit. Disa nga ata që do i veshin, do të mendojnë se po bëjnë një gjest rebelimi kundër shoqërisë së hapur perëndimore. Në vend të kësaj, ata do të kontribuojnë për të rinovuar lavdinë e saj. /“Corriere Della Sera” – Përktheu Bota.al