BLOG, 17 Nëntor 2022, 08:45

“Burri me syze i mbajtur dhe i veshur mirë, i zgjati dorën, por ai…”/ Dëshmia e rrallë e deputetit nga Elbasani, për njeriun që i torturoi dajën

“Burri me syze i mbajtur dhe i veshur mirë, i zgjati dorën, por

Memorie.al/ Makensen Bungo ishte daja im dhe ai ndërroi jetë në Nju Jork, më 15 shtator 2018. Do doja të isha atje, në funeralin e tij, por e kisha të pamundur. Jo thjesht si nip i tij, por edhe për t’i qenë pranë ditën e fundit atij, që ka qenë nga njerëzit, që ka ndikuar thellësisht në formimin tim. Elbasanin, që i vogël e kam parë me sytë e nënës sime, Ferijes dhe të dajës tim, Makensenit. Më fliste shpesh për të atin, Ali Bungon, oficer karriere, për të ëmën Ruzhdije Hastopallin, gjithë jetën e sëmurë me diabet, që u detyrua të rriste dy vajzat e vogla vetëm, nënën time dhe tezen, pasi djalin ja futën në burg dhe të shoqin e çuan të punonte në kanalin e Bedenit në Kavajë, ku çuan gjithë të pasurit dhe aristokracinë e Elbasanit, pas ardhjes së komunisteve të Enver Hoxhës në pushtet në fundin e ’44-ës.

Më tregonte historitë e familjes shpesh, më fliste për Gani Bej Bungon, xhaxhanë e vet, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe për dajën e vet, Ahmet Hastopallin, deputet dhe prefekt i Elbasanit për shumë vite. Me tregonte për gjyshin e tij, Hysen Hastopallin, kryetar i Bashkisë së Elbasanit, afro njëqind vjet përpara.

Familjet e Mëdha të Elbasanit, i njoh prej tij, raportet me Verlacin, Aqif Pashën, Zogun…, kishte një admirim të veçantë për profesorin e vet të ‘Normales’, Sule Harrin!

Tomorr Sinanin e kishte shumë të afërt, Ruzhdija dhe Hajrija, e ëma e Tomorrit, ishin kushërira të para, por nuk ruante ndonjë konsideratë të veçante për të. E çmonte si antifashist, por jo si komunist.

Besoj që librat, dhe e shkruara, ishin dashuria më e madhe e jetës së tij! Si gjithë elbasanasit e moshës së tij, luante shumë mirë poker dhe tavëll. Kur e pyesja për burgun, më thoshte: “Më shumë m’u dhimbs biblioteka e familjes, që dogjën ditën që u arrestova!”. E megjithatë, bibliotekën e ri ngriti, kur i merrja ndonjë roman për ta lexuar, shënonte dhe duhej t’ja ktheje se s’bën.

Nga ata që e torturuan në burg, mbante mënd mirë dy njerëz: një me mbiemër Tepelena dhe një elbasanas, me mbiemër Biçoku. Kur filluan proceset demokratike, kam pasur fatin të rrija shumë me të, pasi u morëm shumë edhe me punët e pronave.

Në një nga herët, kalonim të dy buzë Lanës në Tiranë. Përballe na vjen një burrë i moshuar me syze, por i mbajtur mirë, veshur me shumë shije, me kostum dhe kollare. Kur vjen afër nesh, drejtohet nga daja, i zgjat dorën dhe i thotë: “Si je Makensen”?

Dukej që ishin të njohur. Daja im nuk ja zgjati dorën, nuk i foli, por e pashë që u shqetësua jashtëzakonisht. Kur e pashë ashtu, i propozova të hyjmë në kafen më të afërt, atëhere Lana ishte plot me të tilla. Pasi piu një kafe dhe u qetësua disi, ma thotë:

“Ky është nga njerëzit që më ka rrahur para se të më arrestonin”! Sigurisht më tha dhe emrin. Kishin qenë të dy shokë klase në ‘Normale’. Aty mora vesh që, dajën tim e kishin rrahur për vdekje në oborrin e ‘Normales’, sepse në orën e mësimit, kishte folur për Kosovën dhe ishte koha e marrëdhënieve të mira me Josif Broz Titon. Më pas erdhi arrestimi dhe burgu.

Shumë vite më vonë, Shoqata “Elbasani”, organizoi një darkë tek Hotel “Tirana” me elbasanasit që jetojnë në Tiranë. Unë isha i ftuar si deputet. Pasi mbajta fjalën e rastit, më afrohet një nga pjesëmarrësit, merr një karrige dhe ulet afër meje. Në fakt e njoha menjëherë.

Pasi bëmë një, gëzuar.., më pyet: “I kujt je nga Bylykbashët e Kalasë?” Duke mos dashur të prishja edhe terezinë time, i them: “Unë nuk jam Bylykbash nga Elbasani, nënën kam elbasanase”!”

Filloi të më fliste për Elbasanin, traditat, kulturën, tolerancën…, dhe duke qenë kurioz, më pyet përsëri: “Ç’familje është nëna jote”?”

Prita të mbaronin këngën vëllezërit Zena, ju afrova te veshi dhe me zë të fortë, i thashë: “Unë jam nipi i Makensen Bungos”! U drodh i tëri! Ju prish fytyra, sytë pas syzeve i morën formë tjetër, u ngrit pa thënë më asnjë fjalë dhe u largua nga darka.

E ndoqa me sy deri kur mbylli derën. Neritan Ceka, që e kisha ngjitur, më thotë: “Ç’pati …”?! “Pleqëri…”, i thashë…!
Quhej Agim Popa, nga Kalaja!

Mirë që nuk kërkuan njëherë falje, për ato që bënë, po rrija dhe e dëgjoja, ka kohë, një natë në televizion, duke treguar ca histori, kur kishte qenë në Moskë dhe shoqëronte Enverin dhe Mehmetin…!

Në fakt isha i mërzitur, por më shume me dhimbsej nëna ime! Nuk kishte faj! I kishte vdekur vëllai i vetëm! Dhe larg! S’më mbetej gjë tjetër, veçse t’i thosha: Lamtumirë daja im, Makensen! I lehtë të qoftë dheu i Amerikës!