BLOG, 2 Dhjetor 2022, 10:24

Mustafa Nano adhurues dhe hulumtues i vlerave historike e etnokulturore të shqiptarëve!

Mustafa Nano adhurues dhe hulumtues i vlerave historike e etnokulturore të

Mustafa Nano adhurues dhe hulumtues i zellshëm i vlerave historike e etnokulturore të shqiptarëve.

(Kundrime dhe vlerësime për librin i tij “Gegë e Toskë”, UETPRESS, Tiranë, nëntor, 2022, 383 faqe)

1.Përtej provokimit të mëhershëm

Disa vjet më parë (më 2009) Mustafa Nano, gazetar, analist dhe shkrimtar, i cili dallohet për një prirje e mëvetësi të veçantë në mjediset e sotme letrare e gazetarore, provokoi me librin e tij të titulluar “Unë jam gegë”, dhe ai titull, si dhe sa shkruante në atë libër, shkonin në hullinë e asaj fryme, si të thuash, “hakmarrëse” të disa mjediseve të caktuara shoqërore ndaj shmangies së gegërishtes si gjuhë shkrimi dhe përkrahjes së shqipes së njësuar (në fakt toskërishtes letrare) si gjuhë zyrtare.

Libri “Unë jam gegë”, në atë periudhë, ishte një sivëlla i emisionit të tij “Provokacija”, që e mbajti për disa kohë në kanalin televiziv ABC News, dhe ku, me monologët e tij (pak të thuash tërheqës e të veçantë) prekte, qoftë edhe në një mënyrë disi djegëse (apo ndonjëherë edhe paksa cinike), probleme të shqipes e të shqiptarisë dhe, në laramaninë e panjëjtësinë edhe ideo-politike e botëkuptimore të të intervistuarve, do të ndikonte dukshëm (dhe kjo është një nga meritat e këtij gazetari e dijetari shqiptar) për “shekullarizimin” a, më saktë, shpërtabuizimin e të shprehurit për temën e ndarjes krahinore e etnolinguistike të Shqipërisë në dy areale dialektore dhe etnografike, pra, që të flitej natyrshëm, pa eufemizime e pa drojë, edhe për Gegët e Toskët, e jo vetëm për gegërishten e toskërishten si dy degëzimet kryesore të dialekteve të gjuhës shqipe.

Në hyrjen e librit “Gegë e Toskë” autori, madje, ka bërë një sintezë të bukur të asaj ploje mendësiore që kishte shkaktuar më 2009-ën me librin e tij “Unë jam gegë”.

Le ta citojmë, për ta kuptuar e gjykuar më mirë ndjesinë e tij si krijues: “…u përmbyta me qindra komente që, më së shumti, kishin natyrë kritike. Më kapën në befasi. Ata që më shkruanin shfaqeshin të lënduar në ndjenjat e tyre patriotike. Disa nënvizonin se unë isha duke bërë lojën e armiqve, që shqiptarët i kanë konsideruar gjithnjë të përçarë, dhe mua, a posteriori, më vinte çudi që nuk më kishte shkuar në mendje se shqiptarët ishin çmësuar tanimë me përdorimin e termave “gegë e toskë”, dhe që, duke kapur një temë të tillë, do t’u ngacmoja një plagë që kishte vënë kore. Unë nuk ishte se thosha ndonjë gjë provokative, por një pjesë lexuesish nuk duronin dot as idenë që dikush t’i shqiptonte “fjalët e turpit” “gegë e toskë”. (Hyrje, f.1)

Te libri i sapobotuar “Gegë e Toskë” në vend të provokimit kemi një synim për t’i hyrë shtruar, gjatë e gjerë apo edhe kryq e tërthor një hulumtimi të mirëfilltë historiko-gjeografik dhe sidomos etnologjik e kulturologjik të atij boshti themelor të kombit shqiptar e të gjuhës shqipe.

Shqiponjën e flamurit e kemi me dy krerë, po edhe gjuhën shqipe e kemi me dy kryedialekte. Kjo nuk ka pse të mos kundrohet e të ndriçohet si në aspektin mirëfilli historik e etnografik, ashtu edhe në aspektet gjuhësore, dialektologjike dhe etnolinguistike e socio- dhe psikolingustike etj.

Tashmë autori na ka vënë në duar, jo një librush, por një vëllim të bëshëm, që peshon kur e merr në dorë, po edhe që të vë në mendime kur ulesh ta lexosh. Leximi ecën, rrjedha bukuraza e me një stil të këndshëm, sepse autori ynë është tashmë edhe i ushtruar bukur mirë si shkrimtar e sidomos si shkrues i veprave me temë historike, sikundër e kemi parë te romani i tij “Një javë në Manastir” (2020), që ka pasur mirëpritje e vlerësime si një nga prurjet e reja më të mirëseardhura në botimet e këtyre viteve të fundit.

Natyrisht, ashtu si udhët e gjata, që kanë enkas edhe disa kodërza të bëra enkas për të mos lejuar shpejtësi tepër të mëdha, edhe libri “Gegë e Toskë” i ka do prajsa (vendpushime), ku je i detyruar t’i thuash vetes: Prit pak, po me këtë çfarë ka dashur të thotë? Pse e ka përmendur këtë apo atë fakt, qoftë dokument a frazë librash, qoftë edhe ndonjë gojëdhënë apo thashethushe (thashetheme),që ka mbetur e gjëllin qoftë edhe skutave e mjediseve anësore, sikundër janë aty disa shpoti të ndërsjella (për gegët nga ana e toskëve dhe të gegëve për toskët).

Për mua, mbas një leximi të parë të shpejtë e përnjohës, pastaj edhe mbas një leximi të dytë me kalem në dorë e duke nënvizuar sidomos ato pjesë që kanë edhe “thepa”, më duket se tashmë autori ka shkuar bukur thellë në zhdavaritjen e të përbashkëtave dhe të dallimeve ndërmjet Gegëve e Toskëve dhe, me një gjykim që lakmon të jetë edhe sa më i paanshëm, ia ka dalë të na japë në libër studimor me vlera njohëse, me prurje e kundrime të mbështetura historikisht dhe me referenca e shënime jashtë tekstit (footnotes) jo vetëm të shumta, po edhe të atilla që dëshmojnë për një punë të madhe hulumtuese e kërkuese, gjë që e bën librin të ketë një vend të mirë në shkrimet e këtij lloji.

Besoj se libri do të merret me doemos nga studiuesit, sidomos nga historianët dhe historianët e albanologjisë, nga dialektologët dhe etnologët si dhe nga kulturologë e arsimtarët, po edhe nga shumë kureshtarë që, pa dyshim, vetë titulli do t’i ftojë në mos tjetër ta shfletojnë. Me fjalë të tjera, libri “Gegë e Toskë” bën ferk nga botime të tjera, qoftë edhe pse të shumta, të këtyre viteve të fundit, sepse që nga titulli e fiton kërshërinë e lexuesve.

Kam bindjen se në librin që sapo e kemi marrë në dorë, Mustafa Nano, me çiltërsinë dhe burrërinë që e karakterizon edhe si gazetar e drejtues i emisioneve të tij të mirënjohura “Déjà vu”, “Provokacija” dhe “Arnautistan”, po edhe në gjininë e monodramës a predikimeve para shikuesve në salla teatrore, ka dhënë shembullin më domethënës e të mirëpritshëm se si çdo krijues, historian apo letrar, filozof apo studiues, duhet jo vetëm të gjurmojë e të hulumtojë, po edhe të reagojë e të reflektojë edhe për vetën, ashtu si për të tjerët.

Ja si na rrëfehet ai (dhe këtë unë e vlerësoj lart): “Kam pasur vazhdimisht një brejë ndërgjegjeje që nuk i dhashë kohë vetës për ta trajtuar këtë temë në mënyrë sa më shteruese. Dhe më vjen mire që, më në fund, gjeta kohë për ta ndrequr “lajthimin” e kryer dhe tani jam me shpresën se libri do të nxisë të njëjtin interes, sido që më dhemb kur mendoj se ajo pjesë lexuesish që e kanë kaluar nëpër duar “Unë jam gegë” nuk do ta shohin me vend ta shfletojnë këtë version të ripunuar e të përditësuar, të shkruar lëndimthi. Do ta marrin për një supë të ringrohur. Ani, një kosto që një autor duhet t’ia paguajë ngutit të vet, s’ka gjë se, besa, në këtë rast do të doja shumë që të mos paguaja.”(f.4)

Bashkëbisedimi i hapët dhe i qashtër me lexuesit është tregues i sqimës dhe i ndjeshmërisë së krijuesve të vërtetë, prandaj ti, more Mustafa, duhet ta dish se edhe unë, në disa prej librave të mi, në ribotimet kam bërë shtesa, përmirësime dhe, ndonjëherë, edhe ristrukturime e pasurime, prandaj jua quaj të bukur e të mirë këtë përpunim, thellim me tëhollime e prurje të shumta e të gjithnduershme që keni bërë në ritrajtimin e boshtit tematik, për mua të rëndësishëm: Gegët e Toskët në rrjedhën e kohës. Më pëlqeu sidomos pjesa më këtë titull (dhe e kam nënvizuar), ku bëni një përmbledhje të arsyetuar apo (si të themi) një shqyrtim kritik e historiko-kulturor të një teme, së cilës jo vetëm nuk ka pse t’i shmangemi, por edhe që, përkundrazi, duhet ta shohim në dritën e porosisë urtake të E. Çabejt, që ai e shprehte me togfjalëshin tashmë proverbial ”objektivë, por jo indiferentë”. Dhe, po e them qysh në krye.

Libri “Gegë e Toskë” ka shumë prurje të reja ose, në mos tjetër, të përtërira e të përditësuara, shpesh edhe të ngjeshura me tëhollime e zyzime prapavështruese, por gjithmonë më synime të mbara e paravajtëse, sikundër ka edhe ndonjë element a gojëdhanë që, duke mos qenë i prerë, po e them si do ta thoshte E. Çabej “po të isha unë, do t’i kisha shmangur”. Por, i bindur se kështu si unë do të gjykojnë edhe studiues të tjerë, po them se unë në këtë libër gjeta shumëçka që nuk e dija, apo që nuk e dija kështu. Dhe kjo, pa dyshim, është një vlerë e shtuar e hulumtimit që ka bërë z.Mustafa Nano e që unë, me gjithë shpirt, do të dëshiroja që kështu të veprojnë edhe studiues e shkrimtarë të tjerë.

2.Ndihmesa me vlerë dhe shpjegime të rëndësishme

Mendoj se ky libër sjell ndihmesa me vlerë për të pohuar të përbashkëtat dhe dallimet etnologjike të shqiptarëve sipas dy krahinave a ndarjeve të mëdha: Gegë e Toskë (përkat. Gegnië/Gegëria e Toskëria /Toskënia).

Në krerët e librit “Gegë e Toskë” janë rrokur e shqyrtuar (apo rivështruar e pasuruar) gati të gjitha problemet që lidhen me historinë e shqipes së shkruar, prej dëshmive të para e librave të autorëve të vjetër të Veriut (Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit, Kazazit etj.) dhe të Jugut (L. Matrënga, N. Keta, Dh. Kamarda, De Rada etj.); për “udhën e shkronjave shqipe” e veçmas për sa lidhet me njësimin e alfabetit të shqipes, duke u ndalur mjaft gjerë në Kongresin e Manastirit (të parin e të dytin),pastaj edhe për punë e përpjekjet vullnetmira e të pavdira për farkimin e një gjuhe të përbashkët të shkrimit apo të një gjuhe letrare shqipe, duke sjellë në vështrim edhe shumëçka të re (ose jo mjaft të njohur) për jetësimin e atij procesi bashkëveprues (konvergues) të kryer nga “Komisia Letrare” e Shkodrës, si dhe mbas saj nga Kongresi I Lushnjës, Kongresi i Elbasanit etj. deri te Konsulta e Prishtinës (prill,1968) e të Kongresi i Drejtshkrimit (nëntor, 1972) e deri në ditët e sotme, kur, edhe mbas 50 vjetësh, ende nuk janë të paktë ata që i bëjnë buzë shqipes standarde.

Edhe për atë lagje opinionesh vendoriste dhe që nuk prajnë së kontestuari zgjidhjen e problemit të shqipes zyrtare, libri “Gegë e Toskë” mendoj se jep një sheshpamjeje mjaft të atillë që ta kuptojnë se edhe standardi është një variant i shqipes së shkruar, por nuk është as i vetmi, as vetëm një. Shqipja standarde është varieti që e përbashkon kombin tonë, është forma e të shkruarit dhe të folurit zyrtar, që i përthekon Gegët e Toskët kudo që të jenë sot, në krahinat shqiptare apo në ngulimet e diasporat e shprishura në dhe të huaj, në të gjithë Evropën e më përtej.

Po ashtu, është vendi të vlerësoj se libri “Gegë e Toskë” mbështetet në një literaturë të gjerë historike, filologjike e mirëfilli albanologjike. (Kreu i referencave që jepet në mbyllje të librit ka më se 13 faqe.) Mbi të gjitha, literatura është shfrytëzuar me kujdes, me citime e referime të nyjëtuara e funksionale, duke e anuar librin më fort nga proza historike e mirëfilltë dhe që do të ishte mirë të merrej edhe si model pune nga doktorantë të fushës historike e filologjike, punime të të cilëve, jo rrallë, vuajnë pikërisht nga njohja e përciptë e lëndës dhe sidomos e literaturës mbështetëse.

Dhe, tashti, në pamundësi për t’i përmendur të gjitha prurjet apo rivështrimet e kundrimet e librit, po lejohem të përzgjedh vetëm disa prej tyre, si thonë latinët “per summa capita”, që mendoj se do të ishte mirë të merreshin si bazë nisjeje për trajtime monografike të veçanta, natyrisht jo nga vetë autori, por me anën e temave studimore të nivelit master apo edhe ndonjë doktoraturë në kulturologji, në etnologji e demografi etj.

Tema të tilla, që autori i ka prekur dhe ka sjellë shpjegimet, argumentimet e vlerësimet e veta, madje duke bërë një punë meritore, si dhe i shpie studiuesit e rinj (nëse do të kenë dëshira hulumtuese), pikërisht në një “minierë” të sapofilluar problemesh që meritojnë të bëheshin tema studimore të gjera. Të tilla, janë, p.sh. besimet fetare ndër shqiptarë, natyrisht edhe duke iu përmbajtur boshtit “Gegë e Toskë”, sikundër ka bërë M. Nano në një pjesë të librit të vet që nis me këto fjalë-nyjë: ”Shqiptarët e Kosovës kanë një histori të ndryshme, mëvete. Ata e ruajtën tharmin e identitetin etnik (mbajtën zakonet e ruajtën gjuhën shqipe), por u islamizuan më herët, më me shpejtësi e më fort, e më pas u bënë një me Osmanët.”(f.29)

Me interes është në libër pjesa që sjell autori për shndërrimet demografike në bashkësinë shqiptare, duke u dhënë një vend të mirë edhe martesave të përziera (ndërkrahinore: veriorë e veriore me jugorë e jugore), si dhe me besime fetare të ndryshme ( myslimanë/myslimane me katolikë/katolike apo ortodoksë/ortodokse). Kalimthi, po përmendim sa parashtron autori lidhur me një traditë të hershme të aleancave me anë të martesave ndërmjet bijave e bijve të familjeve të ndryshme nga Veriu me jugorë e jugore, duke përmendur edhe “krushqi spektakolare” si ajo mes Bushatlinjve dhe Ali Pashë Tepelenës (f.181-182) dhe nga fundi i shekullit do të ndodhnin krushqi të tjera gego-toske. ”Vlorajt e Frashërllinjtë u lidhën me Toptanasit e Tiranës, Biçakajt e Elbasanit dhanë çupat në Toskëri.”

“Pas themelimit të shqiptar – shkruan Mustafa Nano – numri i martesave gego-toske u rrit, ndonëse jo kushedi se çfarë. Selfixhe Ciu nga Gjirokastra u martua me Xhemal Brojën nga Shkodra. Fierakja Fatbardha Gega u martua në Shkodër. Ramize Gjebrea e kishte babain nga Gjirokastra e nënën nga Kaçaniku, /…/Selman Riza mori për grua motrën e Qemal Butkës. U desh, ama, të shfaqeshin komunistët në skenën e histories për të shenjuar një risi në këtë drejtim. Dhe kjo nuk erdhi si rrjedhojë e një strategjie të bashkimit kombëtar, por ndodhi në mënyrë të natyrshme, pasi vajzat komuniste i njohën vetes të drejtën për të zgjedhur.

Me fjalë të tjera, ishte hapja mendore, e jo motivimet politike apo patriotike.”(f.183) Krejt faqet 184-185 janë me shembuj lidhjesh maretsore gego-toske edhe të figurave të njohura të periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas saj deri në ditë tona. Lidhur me këtë dukuri, gjithsesi nga më interesantet në shndërrimet demografike dhe sociologjike të bashkësisë shqiptare të kohëve të reja, autori argumenton: “Ishte regjimi komunist që e rrëzoi krejt e përgjithnjë këtë mur shekullor ndarjeje brenda kombit shqiptar, duke i përzier gegë e toskë në të gjitha mënyrat e mundshme .Paragjykime të natyrës krahinore ka ende, dhe ato do të jenë gjithnjë, ashtu si kudo në botë, e megjithatë, “le t’i japim Cezarit çfarë është e Cezarit”. Regjimi totalitar ishte shtypës, mbolli varfëri e izoloi shqiptarët, e në të njëjtën kohë bashkoi si askush tjetër më herët kombin shqiptar.” (f.185)

Kemi, pra, një pohim që vjen mbas një analize të hollësishme të një sasie të madhe rastesh të martesave gego-toske, prej të cilave, përtej asaj që mbetet thjesht si tregues i lëvizjeve dhe i shndërrimeve demografike, do të kishte edhe pasoja shumë të rëndësishme në atë që është quajtur “bashkëveprimi ndërdialektor” në shqipen e sotme.

Kam mendimin se këtë anë tejet interesante të bashkëjetesës së sotme të shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri e në trojet shqiptare në Ballkan, po edhe, aq më tepër, në diasporën e re shqiptare, ku martesat gjakojnë të bëhen sa më shumë mes shqiptarësh, pa pyetur për përkatësinë e besimit fetar, duke e falënderuar Mustafa Nanon për aftësinë e tij të rrokjes së një dukurie që duhet ta kishin parë më parë sociologët e sociolinguistët, e quaj të vlefshme dhe të këshillueshme për t’u bërë temë studimore së paku për një temë doktorature. Lum kush ta ndërmarrë e ta shpjerë më tej këtë ide, pak të thuash të shkëlqyeshme, të Mustafa Nanos.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i trajtuar në librin “Gegë e Toskë” është, pa dyshim, hulumtimi i autorit me synimin që të nxjerrë në pah më mirë se deri më sot rolin e albanologëve të huaj, duke mos lënë pa përmendur e pa prurë kundrime të reja e plotësime interesante për ta, qysh nga George von Hahni, Gustav Weigand-i, A.Boué, H.Hecquard, M.Leake, E.Lear, A.Herbert, J. Hobhouse, E.Durham, R.Elsie etj. Mendoj se, edhe me këtë shtjellim, duke u dhënë vendin e rëndësinë që u takon albanologëve të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë edhe dashamirë të shqipes e të popullit shqiptar, nga libri i M. Nanos, mund të lindë edhe ideja për një libër a studim sa më të plotë pikërisht për krejt atë yjësi figurash të shquara që na nderojnë me shkrimet e tyre për Shqipërinë, shqiptarët e gjuhën shqipe.

Pa dyshim në librin “Gegë e Toskë” pjesa më e rëndësishme, natyrisht edhe më e vështira për të sjellë kthjelltësi të lakmueshme, është sa lidhet me dallimet dialektore e me krijimin e gjuhës së njësuar apo të varietetit të shqipes zyrtare. Theksojmë, së pari, se autori ka shkruar mjaft më përtej prurjeve të mëparshme të tij në versionin e mëhershëm të librit nën titullin “Unë jam gegë”, po edhe i është larguar mjaft trajtimit gazetaror, që shfaqet më dukshëm atje, duke iu qasur tashmë një parashtrimi më të shtruar, pa vrulle letrarizuese e duke synuar një hulumtim të arsyetuar e të tipit argumentues. Ka aty trajtime të gjera e interesante për problemin e gjuhës shqipe e të standardizimit të saj në Kosovë, për elbasanishten si variant i pretenduar si bazë e shqipes së shkruar zyrtare etj.

Autori ka sjellë prurje e ndihmesa edhe vetjake, të cilat meritojnë të shihen e të vlerësohen dhe, me siguri, do të ketë edhe mendime të ndryshme. Si thoshin latinët e urtë ”tot kapita, tot sentenzia” (sa krena, aq gjykime). Ka aty edhe për mua ndonjë pohim a shpjegim me të cilin mund të mos jem i një mendjeje, sidomos me sa lidhet me parashtrimin e kontestimeve të shqipes zyrtare apo të standardizimit të kryer tashmë. Por, lidhur me marrëdhëniet “Gegë e Toskë” e sidomos me marrëdhëniet e shqipes standarde me dialektet po lejohem të bëj këto vërejtje.

Disa nga pohimet e autorit për “Gegë e Toskë” mund të kishin pasur një trajtim edhe më të qartë nëse do t’u ishte referuar edhe disa botimeve që ekzistojnë, por që autorit i kanë mbetur jashtë vëmendjes. E kam fjalën për zërat “Gegëria” e “Toskëria” në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, hartuar nga etnologu i shquar Rrok Zojzi. Po ashtu mund të ishin parë edhe shpjegimet e dhëna nga Jorgji Gjinari në studimin e tij “Dialektet e shqipes”, Tiranë,1988, f.77, dhe në disa shkrime të tjera të tij, si dhe të dialektologëve të tjerë.

Dhe, së mbrami, po lejohem ta përmbyll vlerësimin për librin “Gegë e Toskë” me mendimin tim për marrëdhëniet e shqipes me dialektet dhe të ligjërimeve në bashkësinë e sotme shqiptare. Parashtrimi më i qartë, i cili na lejon të shohim pa u ngatërruar, njësinë (unitetin) dhe larminë dialektore të shqipes në hapësirat dhe trevat e ndryshme shqiptare, qoftë brenda kuadrit të trojeve shqiptare me vijimësi të pandërprerë tokësore, qoftë edhe me ato të diasporave historike dhe më të reja shqiptare në Evropë e në botë, mund të bëhet po të ndjekim këtë vijë krahishtimi:

1.Fjalë që kanë kudo të njëjtën formë fonetike dhe të njëjtin kuptim. Këto, sikundër dihet, përbëjnë sasinë më të madhe të fjalëve të shqipes së sotme dhe të shqipes së moçme, gjë që ka siguruar qëmoti, po edhe vijon të shquajë edhe sot e gjithë ditën, njësinë gjuhësore të shqiptarëve.

2. Fjalë që dalin kudo në trevat shqiptare me të njëjtin kuptim, por me forma fonetike të ndryshme, që kanë rrjedhur nga e njëjta paraformë e shqipes së moçme. Këtu, në fakt, mund të përfshihen edhe të gjitha ato forma morfologjike dhe sintaksore, bashkë me mjetet fjalëformuese, që kanë përbërë dhe përbëjnë edhe sot pikat më kryesore të dallimit ndërmjet dy dialekteve të shqipes, si dhe të degëzimeve më të vogla brendapërbrenda tyre.

3. Fjalë ose leksema të ndryshme për të emërtuar objekte ose veprime të njëjta. Kjo dukuri nuk është e shtrirë gjerë në dialektet e shqipes dhe, sikundër ka qenë vënë re qysh herët në studimet rreth dialekteve të shqipes, rrok një numër relativisht të kufizuar fjalësh.(Shih: Gj. Shkurtaj, “Dialektet e shqipes”-Tiparet e përbashkëta dhe dallimet dialektore sipas hartave të ADGJSH-së, Morava, Tiranë, 2012 dhe ribotim,2016). Kam qenë dhe jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si mbërritje me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeopolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta”, si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu, sipas rasteve e rrethanave, “mundet me e dredhë g-juhën” në përshtatje me mjedise ose synime të caktuara.

Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehjes, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standard, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Për mua, gjuha dhe dialektet nuk janë dy ushtri që ndeshen dhe njëra do ta asgjësojë tjetrën, por ujëra të cilat nisen nga treva të ndryshme dhe shkojnë në të njëjtin det të përbashkët: ligjërimit shqip. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standard terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standard përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë treten e bëhen pronë e shqipes standard, por edhe mund të mbeten jashtë saj.

Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes. Sigurisht, edhe ajo që vjen prej dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar. Siç shprehej aktori i shquar italian Vittorio Gazman, secili njeri mendon në dialekt, por shprehet në gjuhën e përbashkët e të njësuar. Qysh në lashtësi, ka mbetur proverbi “Caesar non supra gramaticos” (Cezari nuk është përmbi gramatikanët).

I uroj autorit, gazetarit, shkrimtarit, studiuesit e mikut tim, Mustafa Nano, vlagë pune e frymëzim për vepra të tjera të tilla, të cilat përbëjnë ndihmesë të rëndësishme për shkencën dhe kulturën shqiptare.