TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Më datë 6 dhjetor në Tiranë do të mbahet Samitit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor. Pomtekini i Shqipërisë nëpërmjet propagandës, joshjes së ambasadorëve dhe gënjeshtrave në raporte, i ka përcjellë Europës një Shqipëri demokratike.
Një Shqipëri ideale. Ndaj edhe paralajmërimi i opozitës shqiptare për të pritur me protestë 6 dhjetorin e ka acarur Pomtekinin dhe taborin e tij mediatik.
Ata duan që të krijojnë idenë se këtu funksionon çdo gjë.
Duan të mbulojnë korrupsionin, varfërinë, krimin e organizuar, tonelatat e drogës dhe laboratorët e përpunimit të saj.
Duan të mbulojnë faktin që pushteti në këtë vend buron nga vota e vjedhur.
Duan të mbulojnë përpjekjet e këtij pushteti për të asgjesuar opozitën e vërtetë dhe për t’u paraqitur para përfaqësuesve të BE si vend pluralist.
Duan të mbulojnë shpopullimin e Shqipërisë.
Kush është Pomtekini- një histori e shkurtër:
Grigori Potemkinin është një ish guvernator rus, i cili ka qenë i përkëdheluri dhe i dashuri i perandoreshës Katerina II. Fati e deshi që Potemkini të ishte guvernatori që luajti rol në aneksimin e Gadishullit të Krimesë nga perandoria ruse, pas luftrave të shumta me Perandorinë Osmane.
Grigor Potemkini gjendet në enciklopeditë e sotme më shumë për shkakun që po përshkruaj këtu, se sa si personi që luajti rol në aneksimin e gadishullit.
Mbretëresha Katerinë e II kishte planifikuar një vizitë në gadishullin që administrohej nga Potemkini, këtij të fundit i duhej të bënte një pritje sa më madhështore për të, me qëllim që t’i binte sa më shumë në sy. Potemkini ishte maestro i spektaklit dhe megallomanisë!
Ai ndërtoi fshatra të rreme përgjatë brigjeve të lumit Dnieper, intinerari i lëvizjes së perandorëshës.
Ndërtoi shtëpi kartoni të lyera me bojra të ndryshme. Mori fshatarët dhe i veshi me rroba të bukura, i porositi të ishin të qeshur gjatë kohës që do të parakalonte perandoresha.
Organizoi një spektakël me zjarre, zjarrhedhëse të cilat shkruanin inicialet e emrit të perandoreshës.
U kujdes personalisht për çdo detaj.
Organizoi kope të mëdha me gjedhë të cilat lëviznin në një distancë që dukej me sy të lirë nga perandoresha, e cila nuk mund të dallonte dot se lopët që shihte sot ishin të njëjtat me ato që kishte parë një ditë më parë.
Gjithandej dëgjohej muzikë dhe hare. Mbretëresha duhet të bindej se nën sundimin e Pomtekinit kjo pjesë e perandorisë kishte prosperitet.
Të gjithë janë të lumtur. Janë të lumtur edhe ata që nuk kanë ç’të shtrojnë në sofër. Edhe ata që punojnë si skllevër për të siguruar një kothere buke. Nuk është e rëndësishme si janë në të vërtetë, e rëndësishme është se sot duhet të duken të lumtur, si për festë.
Për të gjitha është kujdesur Potemkini.
Është kujdesur sepse nga kjo ditë varet fati i tij politik. Ka ardhur sovrani, ai që të jep pushtet. Fshatarët janë njëpërdorimësh. Le të gëzojnë të mjerët! Le të sillen si të lumtur rreth ahengut! Nesër askush nuk do të kujtohet më për ta! E kush e vret mendjen për ta? Ata janë mjet që i duhen Potemkinit për të fituar admirimin e perandoreshës. Një gosti e ëndërruar prej shumë kohësh për një fshatar të varfër do të thotë shumë, për Potemkinin nuk është asgjë. Një palë rroba të reja për një fshatarë janë se ç’janë, për Pontemkinin nuk janë ndonjë kosto. Është një festë e vogël, por jo ndonjë kosto e madhe për qëllimet e Potemkinit. Atij i duhet fuqia e mbretëreshës, pushteti që të jep ajo. Ajo të jep gjithçka. Ia vlen të organizosh një lumturi të gënjeshtërt, të sajosh një provincë, një fshat, që do t’i përjetësohet emri si “fshati Potemkin”. Kështu tregohet historia e famshme e “fshatit Potemkin”.
Pra, “fshati Potemkin” është një sinonim i rrenës, triumfi i formës mbi përmbajtjen. A ju vjen ndërmend një fshat i ngjashëm sot? Shqipëri 2022, është kthyer në një fshat të tillë nën sundimin e Pomtekinit Edi Rama.
Dhe përpjekjet e tij për të mos lejuar protestën e opozitës janë përpjekje për të mos dalë në dritë Shqipëria e vërtetë, atij i intereson që liderët e BE t’i gostisë mirë e mirë, nuk i mungojnë as paratë as idetë për këto punë dhe do që t’i përcjellë ata me bindjen se në këtë pjesë të Europës gjërat funksionojnë.