BLOG, 16 Nëntor 2022, 08:37

“Një i burgosur i moshuar, s’pati fuqi të ndjekë shokët nga puna e rëndë dhe ra pa ndjenja në kënetë, por polici…”/ Dëshmia e trishtë e ish-të dënuarit nga SHBA

“Një i burgosur i moshuar, s’pati fuqi të ndjekë

Memorie.al/ Makensen Bungo lindi më 14 prill të vitit 1926, në qytetin e Elbasanit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij.  Ai u arrestua nga regjimi komunist që në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit, e deklaroi fajtor për ‘krime kundër shtetit’ dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, si dhe konfiskimin e pasurisë. Akuza ‘agjitacion e propogandë’, ishte e gjitha e fabrikuar dhe konsiderohej si krim kundër shtetit, sepse kishte thënë në biseda të ndryshme, se: “Kosova është e robëruar…”!

Pas dënimit të tij, më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan, urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Makensen Bungo u lirua nga burgu në vitin 1950, pasi provoi torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa vdekjen me sy gjatë vuajtjes së dënimit, në Kënetën e Maliqit, në kampin famkeq të Vloçishtit etj. Pas lirimit nga burgu, ai kreu shkollën “Normale” në qytetin e Elbasanit dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, me korrespondencë.

Edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies sipas diplomimit, Makensenin e dërguan në zona të thella në fshatra të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit, por gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë, ai nuk u lejua që të botojë. Makenseni mundi të botojë vetëm pas rënies së komunizmit dhe ai është autor i disa librave, si p.sh.: 1- ‘Monografia për Abaz Kupin’ (2001). 2 – ‘Këneta e Vdekjes’ (u botua më 1996 dhe u ribotua edhe 5 herë – më 2009-ën, u botua edhe në gjuhën angleze). 3 – ‘Gruaja me të zeza’ – Vëllim me tregime (2008).  4 – ‘Rrugëtim me psherëtima’- Roman (2009). 5 – ‘Nëna Kosovare’ – poemë (2003). 6 – ‘Varret’, poemë…etj. 7- ‘Musine Kokalari’.

Pas viteve ’90-të, Bungo emigroi në SHBA-së dhe ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e palodhur edhe për shtypin e diasporës, veçanërisht i gazetës ’Dielli’ në SHBA, ku kontribuoi me studime, artikuj, poezi etj. . Makensen Bungo ndërroi jetë më 15 shtator të vitit 2018, në një spital të New Yorkut, në moshën 92 vjeçare. Shkrimi që kemi përzgjedhur këtu për botim, është marrë nga libri i tij “Këneta e vdekjes”, ku ai ka përshkruar me realizëm, ngjarjet e zhvilluara në kampin e Vloçishtit dhe Kënetës së Maliqit, ku ai vuajti dënimin në vitet e para të pasluftës, së bashku me qindra të burgosur politik nga i gjithë vendi, të cilët punuan në kushte çnjerëzore për tharjen e atyre kënetave.

 FRAGMENT NGA ROMANI “KËNETA E VDEKJES”

Duke punuar, kanali thellohej dhe, duke u thelluar, toka bëhej gjithnjë më e butë e më e lagësht. Doli uji dhe vendi ku punonin u bë i gjithi baltë e llucë. Puna u vështirësua tepër.

Kur erdhi koha e drekës, policët u ranë bilbilave. Të burgosurit lanë punën. Para brigadës së Elbasanit shkoi kapter Zeneli, që i porositi që asnjë karrocë të mos mbetej pa u shkarkuar. Të burgosurit u ngjitën në argjinaturë dhe u vunë në rresht, për dy. Disa nuk qëndruan dot në këmbë. U ulën në tokë deri sa kuzhinierët sollën kazanët me gjellë.

Policët urdhëruan të burgosurit të vihen në rresht. Dëgjoheshin britmat:

– Drejtimin! Një kokë të shikoj! Një kokë.

Kapter Zeneli pa një të burgosur nga ata të Durrësit, që nuk ishte në rresht. E kapi për jake të xhaketës, i futi disa shkopinj, e nxori para të burgosurve dhe urdhëroi komandantin e brigadës:

– Të mos i jepet gjellë! Sot dënohet pa drekë.

I dënuari shkoi dhe u ul tutje dhe filloi të hajë bukën e thatë në heshtje.

Kuzhinierët ndanë gjellën. Në fillim morën komandantët e brigadave dhe të kompanive. Në enën e tyre ranë disa kokrra fasule dhe nja dy bula vaji. Gjella e të tjerëve ishte pa një kokërr fasule: vetëm një lëng i ngrohtë. Ata të pestë shkuan larg të tjerëve dhe filluan të hanë drekën. Një pjesë të bukës e lanë për darkë. Sala e hëngri të gjithë.

– Po për darkë çdo të hash? – i tha Ahmeti.

– Kam gjellën, – qeshi Sala.

– Mos e bëj më këtë! Sonte gjithë natën do të të gërryejnë zorrët.

Ndërsa të burgosurit hanin drekën, si zakonisht, policët kalonin nëpër argjinaturë, duke i bërë veshët katër që të mund të kapnin ndonjë fjalë. Midis tyre u duk edhe gjeometri. Vajti pranë Qamil Dajës.

– Të bëftë mirë, avokat! – i tha.

Puna filloi dhe vazhdoi me vrullin e paradites. Kur u afrua mbrëmja, policët u ranë prapë bilbilave dhe duke bërtitur egërsisht e duke shkundur në ajër shkopinjtë, i urdhëruan të burgosurit të lënë punën dhe të vihen në rresht. Çdo polic bëri apelin e kompanisë së tij. Pasi nuk vuri re ndonjë mungesë, kapter Zeneli dha urdhër të nisen. Nisja u bë mes të bërtiturave të policëve, të cilët i qëllonin mbarë të burgosurit me shkopinj, që ata të vraponin sa më shpejt, që të mbërrinin pa u errur.

Të moshuarit dhe të pamundurit, mbas asaj pune të rëndë, mundoheshin me të gjitha forcat që të mos ndaheshin nga shokët. Por ishte e pamundur për ta të ndiqnin vargun e madh të të burgosurve, që ecnin pothuaj me vrap. Atëherë mbi kurrizin e tyre binin shkopinjtë e policëve.

Një i moshuar nuk pati fuqi të ndjekë shokët e tij. Ai u shkëput pak nga pak. Polici e qëlloi disa herë me shkop. I burgosuri u mundua të shpejtojë, por e lanë fuqitë. Shikoi policin dhe deshi t’i thotë diçka, po ky iu përvesh me tërë fuqinë. I burgosuri ra pa ndjenja në mes të kënetës. Me urdhër të policit, dy të burgosur e morën përkrahësh.

– Merreni qenin! – u tha kapter Zeneli, mbasi e qëlloi edhe ai disa herë.- Jemi duke shkuar në kamp, pa, po të ishim në punë, i fusja një kokërr plumbi, që ta shikonte edhe ky, edhe shokët e tij, se sa i bën lëkura.

Rruga në kamp ishte e gjatë. Dielli ishte fshehur tej, në horizont, pas kodrave. Mugëtira e mbrëmjes filloi të bjerë ngadalë ngadalë. Asnjë lëvizje. Mes kallamave dhe llucës së kënetës dëgjohej vetëm zhurma që bënin të burgosurit, që vraponin.

Në vrapin e tyre të mundimshëm ata linin pas, mes kallamishteve, në llucën e trashë të kënetës, një vragë të madhe e të trashë. Herë-herë, i trembur nga zhurma e të burgosurve, ngrihej nga këneta ndonjë zog dhe fluturonte tej. Larg dëgjohej kënga monotone e bretkosave.

Ndërsa të burgosurit e tjerë ecnin për në kamp, dy rrathë policësh, të armatosur edhe me automatikë, i ndiqnin në heshtje, të gatshëm të qëllonin pa paralajmëruar, cilindo që do të largohej nga rreshti.

Kur mbërritën te dera e kampit, i ndaluan, i numëruan, e i futën brenda në kamp. Të burgosurit e Elbasanit i futën të fundit.

Sipas kompanive, u vunë në rresht për dy, në vendin e caktuar qysh në mëngjes.

Pas apelit, që u bë sërishmi, u dhanë nga një tas me çaj. Ata të pestë, të ulur tok, të rraskapitur dhe të uritur, e hëngrën njëherazi copën e bukës, që kishin lënë për darkë. Sala e piu çajin thatë.

Të thashë të mos e haje të gjithë bukën që në drekë! – e qortoi Ahmeti.

– Në mëngjes do të marr racionin e bukës,- tha Sala për t’u justifikuar. Shaban Plaka, që dëgjoi këtë bisedë, nxori një copë bukë nga trasta e tij, dhe ia afroi Salës.

– Merre!-i tha. – Është bukë fshati. Ma sollën para se të vinim këtu.

Sala qëndroi me mëdyshje, po Shabani ia la në prehër. I skuqur në fytyrë, ai e mori dhe e hëngri si i babëzitur. Ishte e mirë, bukë çerepi.

Mbas darkës, e ndezën nga një. Duhanin pothuaj e pinin të gjithë. Edhe ata që nuk e kishin pirë më parë, e kishin filluar. Në tmerret e birucave, në llahtarinë e torturave dhe në kalvarin e burgjeve, ai ishte bërë shok i ngushtë i tyre.

Të burgosurit u bënë gati të ngriheshin. Edhe ata të pestë me të tjerët. Ndërkaq, pranë tyre u gjend kapter Zeneli. Ndonëse i njihte mirë, i pyeti:

– Nga burgu i Elbasanit, – u përgjigj Hasani.

Me një zë të çjerrë, kapter Zeneli ulëriti:

– Ulur më jep përgjigje ti mua, more derr i ndyrë?

Dhe ia veshi në kurriz me shkop. Të pestë u ngritën në këmbë. Kapter Zeneli kërcënoi me tërbim:

– Perëndoi koha juaj, more borgjezë të fëlliqur! Deri tani kemi qëndruar ne në këmbë para jush; tani do të na rrini ju në këmbë, qelbësira të ndyra!

Ata nuk folën. Kapter Zeneli u ktheu kurrizin dhe u largua i qetë.

– Njerëzit e diktaturës! – tha Sopoti.

U ngritën të lajnë gavetat në çezmën e vetme të kampit, pranë depos së ujit, por atje ishin grumbulluar shumë njerëz.

Shkuan në barakë. Të burgosur të tjerë kishin shkuar më parë. Dikush rrinte shtrirë. Një tjetër pinte duhan ulur mbi shtresa.

Ndezën edhe ata nga një cigare. Të pështjelluar nga mendime të trishta, filluan ta thithnin duhanin fort, thellë, me duf, me urrejtje, në heshtje. Ishte një heshtje e gjatë, e madhe, e rëndë, që shtonte në çdo çast te ata urrejtjen për diktaturën, që sapo ishte vendosur në vendin tonë.

Ahmeti, që nuk e pinte duhanin, po rrinte shtrirë dhe po hallakaste mendimin për ato që do të hiqnin në atë kamp. Sopoti, për t’i blerë mendjen e pyeti:

– Pse mendohesh? Për vuajtjet që do të heqim këtu?

– A do t’ia dalim mbanë? Jemi përpara një beteje të madhe.

– Sopoti tundi kokën dhe tha:

– Dhe të rëndë, – e plotësoi Hasani.

– Dhe të gjatë, – tha Vullneti.

Mbasi mbaruan duhanin, ranë për të fjetur. Por, me gjithë atë të lodhur dhe të këputur, ata nuk i zuri gjumi menjëherë.

Baraka nuk ishte e mbyllur mirë. Por ajri sa vinte dhe bëhej më i rëndë. Këtë filluan ta prishin era e rëndë e djersës, pisllëku i teshave dhe kundërmimi i këmbëve.

Një i burgosur, që vuante nga astma, u ngrit nga shtresat e qëndroi ulur, duke marrë frymë me vështirësi. Shoku, që flinte pranë tij, u zgjua dhe e këshilloi të dalë jashtë për të marrë ajër të pastër.

– Kam frikë se më qëllon roja.

– Edhe të qëllon, – i tha shoku.

– Një i burgosur më tutje filloi të gërhasë. Shoku pranë tij u zgjua nga të gërthiturat e pandërprera dhe e lëvizi pak.

– Po gërhas? – tha i burgosuri që sapo u zgjua.

– Kështu e kam gjumin tani. Më ka mbetur nga torturat në hetuesi

Një i burgosur nga mesi i barakës, u ngrit nga shtresat, drodhi një cigare dhe filloi ta pijë në heshtje.

– Ç’ke? – e pyeti shoku pranë, që u zgjua kur u ngrit ai.

– Kur u nisëm, mësova se të mitë i kishin lajmëruar për t’i internuar.

– Është fati ynë, – tha tjetri.- Por mundohu të flesh.

Nuk kishte kaluar shumë kohë kur, nga fundi i barakës, u dëgjua një thirrje e frikshme. Një i burgosur, duke u rrotulluar në shtrat nëpër gjumë, bërtiti me të madhe:

-Jo! Jo! Ai nuk ka bërë asnjë faj. Mosni! Mosni! Mos e merrni atë. Vij unë në vendin e tij!

Shokët u zgjuan se ai po shikonte një ëndërr tronditëse dhe e tundën. Ai u zgjua i hutuar. U ngrit në shesh, shikoi përreth, fshiu sytë dhe, si përmblodhi veten, tha:

– Pe ndonjë ëndërr? – e pyeti shoku pranë.

– Si! – e pyeti ai padashur.

Të burgosurit që ishin afër, u ngritën. Ai shikoi dhe i erdhi turp, keq që i zgjoi.

Pastaj iu drejtua shokut pranë:

– Më jep një cigare të mbledh veten!

– Pashë një ëndërr që më rrëqethi.

– Ëndërr është, – i tha ai që i dha cigaren- Mos u shqetëso!

Ai që pa ëndrrën, duke psherëtirë, tha:

– Sikur erdhën ata të Drejtorisë së Mbrojtjes… me një “Xhip”-s…! Hynë në shtëpi…! Më arrestuan djalin e vetëm…! E lidhën me pranga… duke e rrahur me grushta dhe me shkelma, e morën me vete.

Mori frymë thellë dhe vazhdoi:

– O Zot, mos të ma gjejë gjë djalin! Ma ruaj, o Zot!

Të burgosurit përreth thanë:

– Është ëndërr nga lodhja – është dita e parë në këtë kamp të mallkuar.

– Do të mësohemi. Do të mësohemi.

– Mirë, mirë. Flini tani, se nesër do të dalim në punë!

– Bini! Bini! – tha i moshuari.

Në barakë ra prapë qetësia. Roja dukej herë pas here te dera e barakës, i heshtur si nata. Kampin e kishte pushtuar një qetësi e zymtë. Telat rreth e qark kampit shkëlqenin nga dritat e shumta, që ndriçonin kudo.

Jashtë, në kullat e larta të vrojtimit, me automatikë të varur në qafë, rojet i bënin shoqëri hënës, që ecte ngadalë, e heshtur, indiferente. Përballë kampit jetonte në qetësi fshati Vloçisht. Banorëve të këtij fshati, që e shikonin këtë kamp nga larg, a u shkonte vallë ndërmend se nën ato drita llamburitëse qindra njerëz vuanin torturat më lemeritse?