BALLKAN, 24 Nëntor 2021, 17:10

Vuçiç: Duam bisedime të shpeshta dhe të shumta me Prishtinën!

Vuçiç: Duam bisedime të shpeshta dhe të shumta me

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se Serbia dëshiron të bisedojë me Prishtinën për të gjitha temat e hapura dhe nuk dëshiron të jetë fajtore për bllokimin e bisedimeve.

“Serbia kërkon dhe dëshiron bisedime me Prishtinën në çdo nivel, sa më parë, sa më shumë e sa më shpesh. Mendoj që është me rëndësi të flasim për secilën temë, posaçërisht për Asociacionin (e komunave me shumicë serbe) dhe energjinë, por edhe të përpiqemi të arrijmë çfarëdo, qoftë edhe një mirëbesim minimal mes nesh, që të mos ndodhin situata në të cilat ndodheshim para një muaji”, tha ai, duke nënvizuar se kjo është kërkesë e Serbisë që ai e ka bërë edhe në takimin me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Presidenti serb tha se Beogradi nuk mund të lejojë të fajësohet për çfarëdo bllokimi të bisedimeve, rreth të cilave tha se do të diskutojë edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin do të takohet të enjten në Sochi.

“Së pari, ne kemi rënë dakord për programin strategjik ruso-serb të bashkëpunimit ekonomik për periudhën 2021-2026, në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik, në fusha të ndryshme të shkëmbimit tregtar dhe kjo është diçka që ne e kemi përgatitur për një kohë të gjatë dhe më në fund ramë dakord me partnerët tanë rusë. Mendoj se kjo është e rëndësishme për ne dhe sigurisht, besoj se nuk është e parëndësishme për Moskën”, tha ai.

Presidenti serb tha se sapo të kthehet nga Rusia, do t’u shkruaj shefave të vendeve dhe qeverive dhe institucioneve evropiane dhe “do të kërkoj përgjigje se si është e mundur që Albin Kurti, kryeministër i institucioneve të përkohshme, shumë qartë para disa ditësh foli për bashkim me Shqipërinë dhe askush nuk reagoi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Radio “Monocle”, ditë më parë, tha se “nëse në të ardhmen do të organizohej një referendum paqësor dhe demokratik, do të votoja për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por e përsëris, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”.

Lajçak në përpjekje për një takim te nivelit të lartë politik Kosovë – Serbi

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, takoi të hënën në Vjenë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për procesin e bisedimeve, ndërsa të enjten pritet të qëndrojë edhe në Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për të organizuar një takim te ri midis palëve para fundit të këtij viti.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë thënë se cilat do të ishin temat e bisedimeve, por kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe rrugën përpara në procesin e bisedimeve.

Të mërkurën zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha se kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e ndërsjella të zyrtarëve të të dyja palëve,

Qeveria e Kosovës refuzoi një kërkesë të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç për një vizitë në disa zona të banuara me shumicë serbe në Kosovë, duke nënvizuar “gjuhën nxitëse dhe provokuese” të tij.

Zoti Stano tha se sipas njohurive të tij vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe procedurat ishin kryer në pajtim me marrëveshjen, e cila, nënvizoi ai, parasheh që të gjitha vizitat duhet të zhvillohen në atë mënyrë “që të çojnë përpara normalizimin e marrëdhënieve dhe ndihmojnë përparimin në procesin e bisedimeve”.