TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli përmes një postimi në "Facebook" thotë se në Maqedoninë e Veriut, qeveria ka nisur një politikë të guximshme për rigjallërimin e fshatit: çiftet e reja nën 40 vjeç që zhvendosen në zonat rurale për të jetuar dhe punuar në bujqësi, përfitojnë deri në 100 mijë euro grant. Resuli shkruan se mbështetja mbulon deri në 80% të shpenzimeve për ndërtim apo rindërtim banesash, blerje makinerie bujqësore, tokë apo bagëti.
Ai shton se nëse nuk e përmbushin angazhimin për të qëndruar 10 vite në fshat, grantin e kthejnë. Sipas tij, politika është e qartë, e drejtpërdrejtë dhe me përgjegjësi. Gjithashtu Resuli shkrian se kjo nismë shoqërohet edhe me grante të tjera, si 20 mijë euro për të rinjtë që nisin aktivitete bujqësore ose pyjore, përfshirë edhe anëtarët aktivë femra të familjeve bujqësore. Shteti mbështet zhvillimin e mikrondërmarrjeve dhe inovacionin rural. Ai thekson se në fokus janë të rinjtë, gratë dhe krijimi i ekonomive të qëndrueshme lokale.
Nga ana tjetër, Presidenti i Urdhrit Veterinar shkruan se në Shqipëri, situata është krejtësisht ndryshe. Sipas tij, nuk ka asnjë grant për të rinjtë që duan të kthehen në fshat. Ai shton se subvencionet janë simbolike, shpesh burokratike dhe të vështira për t’u përfituar. Resuli thotë se nafta për bujqësinë tatohet njësoj si për makinat luksoze, nuk ka një skemë të mirëfilltë për naftën pa akcizë. Sipas tij, fermerët e vegjël dhe blegtorët paguajnë energjinë elektrike në stalla si të ishin biznese të mëdha – tarifat janë të larta dhe të papërballueshme.
"Ndaj, është koha që Shqipëria të mësojë nga fqinjët dhe të veprojë: të krijojë një skemë reale me grante për të rinjtë që duan të kthehen në fshat, të heqë akcizën për naftën bujqësore, të ulë tarifat e energjisë për stalla dhe ferma, të ndërtojë një strategji të vërtetë për rigjallërimin e zonave rurale dhe për t’u dhënë arsye të rinjve të qëndrojnë, jo të ikin", shkruan ai.
Reagimi:
Në Maqedoninë e Veriut, qeveria ka nisur një politikë të guximshme për rigjallërimin e fshatit: çiftet e reja nën 40 vjeç që zhvendosen në zonat rurale për të jetuar dhe punuar në bujqësi, përfitojnë deri në 100 mijë euro grant. Mbështetja mbulon deri në 80% të shpenzimeve për ndërtim apo rindërtim banesash, blerje makinerie bujqësore, tokë apo bagëti. Nëse nuk e përmbushin angazhimin për të qëndruar 10 vite në fshat, grantin e kthejnë. Politika është e qartë, e drejtpërdrejtë dhe me përgjegjësi.
Kjo nismë shoqërohet edhe me grante të tjera, si 20 mijë euro për të rinjtë që nisin aktivitete bujqësore ose pyjore, përfshirë edhe anëtarët aktivë femra të familjeve bujqësore. Shteti mbështet zhvillimin e mikrondërmarrjeve dhe inovacionin rural. Në fokus janë të rinjtë, gratë dhe krijimi i ekonomive të qëndrueshme lokale. Kjo është një politikë e ndërtuar mbi nevojën për ta mbajtur fshatin gjallë dhe për ta bërë tërheqës për brezat e rinj.
Ndërkohë në Shqipëri, situata është krejtësisht ndryshe. Nuk ka asnjë grant për të rinjtë që duan të kthehen në fshat. Subvencionet janë simbolike, shpesh burokratike dhe të vështira për t’u përfituar. Nafta për bujqësinë tatohet njësoj si për makinat luksoze – nuk ka një skemë të mirëfilltë për naftën pa akcizë. Fermerët e vegjël dhe blegtorët paguajnë energjinë elektrike në stalla si të ishin biznese të mëdha – tarifat janë të larta dhe të papërballueshme.
Shqipëria nuk ka asnjë strategji për kthimin e të rinjve në fshat. Politikat ekzistuese nuk i ofrojnë atyre siguri, as mbështetje, dhe asnjë vizion për të ndërtuar të ardhmen në zonat rurale. Ajo çfarë u ofrohet janë vetëm kredi, dhe ato me kushte të vështira, jo ndihmë direkte. Fshati shqiptar është lënë në mëshirë të fatit – i zbrazur, i papërshtatshëm për jetesë, pa shërbime dhe pa mbështetje reale nga shteti.
Nëse krahasojmë dy qasje kaq të afërta gjeografikisht, por kaq të largëta në vizion, kuptojmë se Maqedonia e Veriut po e trajton fshatin si një mundësi kombëtare për zhvillim dhe rigjenerim shoqëror. Shqipëria, në të kundërt, po e trajton fshatin si një barrë që nuk ia vlen të investohet.
Ndaj, është koha që Shqipëria të mësojë nga fqinjët dhe të veprojë:
Të krijojë një skemë reale me grante për të rinjtë që duan të kthehen në fshat.
Të heqë akcizën për naftën bujqësore.
Të ulë tarifat e energjisë për stalla dhe ferma.
Të ndërtojë një strategji të vërtetë për rigjallërimin e zonave rurale dhe për t’u dhënë arsye të rinjve të qëndrojnë, jo të ikin.
Sepse nëse sot nuk kemi guxim të sfidojmë as fqinjët tanë, si do të arrijmë të sfidojmë Europën në vitin 2030?