IDE, 13 September 2026, 21:57

Në Shqipërinë e sotme “revolucioni” ka emrin pjesëmarrje dhe alternativë

Revolucioni është fjalë e madhe dhe ngjarje e madhe. Në vetë kuptimin që ka si një dukuri që sjell zevendësimin rrënjësor të një sistemi politik të vjetër me një tjetër të ri. E njëjta gjë për ndyshimet e mëdha në shkencë, teknologji, ekonomi, filozofi e madje edhe në art.

Kushdo që ka sot një celular në dorë mund të informohet vetë gjerë e gjatë për ngjarjet, zbulimet, shpikjet, risitë që kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë historinë e revolucioneve në fushat e lartpërmendura. Më i fundit, ai në fushën e teknologjisë së informacionit.

Sakaq, fjala revolucion në vendin tonë ka vazhduar të ruajë rëndom, si për kollaj, kuptimin leninist- enverist të përmbysjes së pushtetit me dhunë. Jo aq si bindje e atyre që kanë zbritur në sheshet e protestave dhe demostratave këto tridhjetë vite me nijetin për ti dhënë fund me forcë regjimit në fuqi, sesa si reminishencë botëkuptimore, si parullë mobilizuese dhe si atavizëm që u ka ardhur përshtat “karizmës” së liderve që u kanë dalë në krye.

Përveç revolucioneve me dhunë, si ai francez i fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë apo ai bolshevik i fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Europa ka njohur në fund të viteteve tetëdhjetë disa revolucione paqësore që kanë sjellë shembjen e komunizmit dhe vendosjen e rendit demokratik në disa vende.

Revolucion paqësor? Mos vallë është një paradoks, një oksimoron ku kuptimi i njërës fjalë kundërshton tjetrën? Për revolucionarët jakobinë po. Por jo për historinë, jo për revolucionarët paqësor ala Vaslav Havel, përshembull.

Le të përmendim për ilustrim tryezën e rrumbullakët në Poloni mes përfaqësuesve të sindikatës antikomuniste “Solidarnos” të drejtuar nga Les Valesa dhe kreut të shtetit polak të asaj kohe, Jaruzelski. Apo revolucionin e kadifenjtë në Çekosllovaki, revolucionin e shembjes së murit të Berlinit në Gjermaninë lindore, ndyshimin paqësor të sistemit në Hungari dhe Bullgari, Lëvizjen Studentore të dhjetorit 1990 në Shqipëri, pasuar me tryezën e përfaqësisë studentore-intelektuale me kreun e shtetit të kohës, Ramiz Alia.

Në të gjithë këto vende u krye kalimi paqësor nga regjimi njëpartiak i dhunës dhe ekonomisë së centralizuar në demokracinë shumëpartike të lirive dhe tregut të lirë.

Për të emërtuar këtë përmbysje radikale nuk ka fjalë tjetër veç revolucion.

Në të gjitha këto revolucione të një konteksti historik specifik, që kishte të bënte me dështimin e sistemit komunist, ka patur një element, një fotografi, një imazh të njëjtë në secilin prej vendeve: Pjesëmarrjen masive të qytetarëve, një lloj plebishiti në rrugë dhe sheshe që bërtiste në kore aspiratën e re, drejtimin e ri. Ndaj Haveli i ka quajtur revolucione me emrin pjesëmarrje. Ky përcaktim është aktual në çdo republikë a monarki parlamentare në Europë, përfshirë Shqipërinë që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Kudo ku qytetarët zbresin masivisht në sheshe, vullneti i tyre ka fuqinë e ligjeve.

Një revolucion paqësor në Shqipërinë e ditëve tona kundër korrupsionit endemik, kapjes së shtetit, asfiskismit të demokracisë dhe përjashtimit të popullit nga sistemi që formalisht mban emrin e popullit, do të vinte e mund të vijë me pjesëmarrje shumë të madhe qytetare, nga ato që i pakësojnë ajrin kyeministrit dhe qeverisë, ua bëjnë të pamundur të vazhdojnë, u imponojnë largimin për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja me një sistem të ri zgjedhor, me një infrastrukturë të re zgjedhore.

Nga ana tjetër mund të vijë me alternativë dhe lidership të qartë të grupeve në protesta.

Njerëzit kanë nevojë ta dinë çfarë vjen pas asaj që duhet të rrëzojnë. Nëse sfidanti nuk bind, rrinë në shtëpi.

Alernativa nuk janë vetëm përcaktimet programore në letra. Është vetë lidershipi. Ku rrahin idetë e tyre, sa bindin, sa frymëzojnë, sa shpresa ngjallin, sa siguri japin se ato që thonë do t’i bëjnë, a kanë kulturë, urtësi, vendosmëri? A kanë aurën e popullit shqiptar nga veriu në jug, nga lindja në perëndim? A kanë aurën e politikanëve me formim dhe sjellje perëndimore? Alternativa si e tillë rrit pjesëmarrjen. Pjesëmarrja e madhe përbën forcën që shtyn në realizmin e kërkesave.

Protesta e përmbrëmshme në Tiranë, epike në qëndrueshmërinë e saj përgjatë një vere shumë të nxehtë, ka shënuar në fillimet e veta disa kulme të përafërta me pjesëmarrjen dhe mbështetetjen plebishitare duke llogaritur bulevardin plot dhe mbështetësit në shtëpi.

Ajo i ka potencialet të rikthehet në majat e qershorit dhe madje të rritet më shumë.

Si? Duke ruajtur kompaktësinë e spektrit shumëngjyrësh të fillmit. Pa humbur asnjë grupim, asnjë rrymë, asnjë ngjyrë, asnjë nuancë, me të majtë radikalë, të gjelbër, socialistë të zhgënjyer me partinë e tyre në pushtet, liberalë që kanë fenë e nismës së lirë, demokratë që janë rebeluar nga mbyllja e hapësirave të konkurencës në PD, konservatorë, nacionalistë. Të gjithë me zërin e tyre në një përfaqësi që respekton në përbërje realitetin e sheshit dhe opozitarizmit antiestablishment në Shqipërinë e viteve të fundit. Një përfaqësi që sillet gjithnjë më mirë e më qartë qartë si institucioni i protestës në menaxhimin e saj, në PR-në e saj, në ndërtimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe me grupet parlamentare përmes të cilëve do të negociojnë dhe shtyjnë përpara kërkesat për ndryshime ligjesh.

Protesta nuk është më thjesht një ngjarje e bukur. Është përgjegjësi e atyre që i kanë dalë zot dhe e gjithkujt që sheh përmes saj Shqipërinë e re, Shqipërinë normale për të gjithë.