TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-ministrja e Arsimit në Shqipëri Besa Shahini ka shpallur kandidaturën për kryetare të Prishtinës. Përmes një videoje të postuar në Facebook, Shahini ka ndarë vendimin për të kandiduar në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë në Kosovë, për t’u bërë qytetarja e parë e Prishtinës. Ajo shprehet mes të tjerash se Prishtinës i duhet një ndryshim radikal, ndaj do të garojë në zgjedhjet lokale. Gjithashtu Shahini apeon për mbështetje të gjerë qytetare në misionin e saj.
‘‘Para 4 viteve jam kthyer të jetoj në Prishtinë nga Tirana, në një qytet që e dua fortë, që e ka një potencial të jashtëzakonshëm, i cili ka marrë një kahje të gabuar në zhvillimin e vet. Është një qytet që është kryesisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër dhe jo shumë miqësor për fëmijët.
Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahjen e zhvillimit. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, ndaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të Komunës në zgjedhjet lokale 2025. Ju ftoj të më bashkangjiteni të gjithë ju që i ndani shqetësimet e mia për qytetin dhe që keni sado pak energji që të përfshiheni në përpjekjen tonë të përbashkët për ndryshim’’, thotë Shahini.
Besa Shahini ka qenë Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë në Shqipëri që prej 28 Dhjetorit 2018, ku zëvendësoi Lindita Nikollën, deri në shtator 2020 kur u pasua nga Evis Kushi. Ajo ka qenë prej kohësh një analiste e pavarur e politikave për arsimin dhe për çështjet e edukimit në Kosovë si dhe zëvendësministre e arsimit në Shqipëri.