TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka shprehur mirënjohje publike ndaj Kosovës për bashkëpunimin në çështjet e migracionit. Në një deklaratë të publikuar nga Ambasada, u theksua se Kosova është vendi i parë në Evropë që ka pranuar të strehojë shtetas të vendeve të treta që janë larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Faleminderit partnerit tonë Kosovë,” thuhet në deklaratën e bërë nga Anu Prattipati, e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.
Më tej në reagim theksohet se sigurimi i kufirit amerikan është një prioritet kyç i Administratës Trump. Prattipati shton se e vlerëson shumë bashkëpunimin e qeverisë dhe popullit të Kosovës. Ky veprim është konsideruar nga SHBA si një dëshmi e fortë e partneritetit me Kosovën në fushat e sigurisë dhe menaxhimit të emigracionit.
Kosova ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të dëbuar. Kryeministri Albin Kurti tha se qeveria ka vendosur që brenda një periudhe njëvjeçare, Kosova të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë të përzgjedhur nga një listë e propozuar nga SHBA-të. Kurti shtoi se qëllimi i këtij angazhimi është lehtësimi i kthimit të sigurt të këtyre personave në vendet e tyre të prejardhjes.
