TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.
"Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi, në të kundërtën, KFOR do të detyrohet të ndërhyjë", ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.
Gaz lotsjellës, flakë dhe shtëllunga tymi përfshinë zonën, ndërkohë që u dëgjuan dhe sirena.
Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Gjatë ndërhyrjes së KFOR-it janë dëgjuar shpërthime të shumta, teksa protestuesit janë parë duke hedhur sende në drejtim të trupave ndërkombëtare.
Më herët, protestuesit në Zubin Potok u shpërndan dhe paralajmëruan se do të protestojnë sërish të martën.
Gjatë ditës ka pasur disa incidente në veri, përfshirë edhe ndërhyrjen e policisë për të larguar protestuesit, që tentuan të hynin në ndërtesën e komunës së Zveçanit.
Të hënën, KFOR bëri të ditur se ka shtuar prezencën në këto tri komuna, ku që nga 26 maji janë rritur tensionet.
Ky mision tha se në linjë me mandatin që ka është i gatshëm “të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme”.
Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.
Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 prill, në procesin zgjedhor që u bojkotua nga Lista Serbe.
Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.
Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.