BALLKAN, 29 Maj 2023, 15:50

Mes tensioneve në Veri/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi del nga burgu në Hagë dhe shkon në Kosovë

Mes tensioneve në Veri/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka lënë qelinë për disa orë dhe ka shkuar në Kosovë pasi Gjykata Speciale ka plotësuar kërkesën e tij.

Mësohet se shkak për lirimin e Thaçit për disa orë ka qenë gjendja e rënduar shëndetësore e nënës së tij.

Ish-presidenti që prej orës 12:30 ndodhet në Kosovë. Atij i është lejuar që të shkojë në vendlindjen e tij Burojë, nën masa të ashpra të sigurisë, për ta vizituar nënën e tij, të cilës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Forca të shumta të sigurisë janë parë në Burojë, ku Thaçit i është lejuar t’i takojë vetëm prindërit e tij dhe askënd tjetër prej anëtarëve të tjerë të familjes.

Nëna e ish-presidentit Thaçi është liruar ditë më parë nga QKUK-ja, ku ishte trajtuar 5 ditë radhazi. Ajo, siç mësohet, tani është duke u trajtuar nga mjekët në kushte shtëpie.

Vizitën e Thaçit në Kosovë e kanë konfirmuara edhe nga Gjykata Speciale.

“Për shkak të arsyeve humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Mes tensioneve në Veri/ Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi