TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka publikuar gjetjet paraprake nga monitorimi i kryer më 20 tetor, pas protestës së dhunshme në Tiranë, lidhur me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar.
Nga raporti i bërë publik nga komisioneri i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi, në Bllokun e Sigurisë u konstatua se qëndronin 118 të shoqëruar, ndonëse kapaciteti zyrtar i këtij ambienti është për 67 persona. Sipas raportit, disa prej tyre detyroheshin të flinin në dysheme.
Gjatë monitorimit u evidentuan edhe gjashtë të mitur, për të cilët u ngritën shqetësime lidhur me kushtet e mbajtjes dhe kontaktin me familjen e avokatin. Avokati i Popullit bëri të ditur se kishte administruar gjashtë ankesa për pretendime dhune gjatë ndalimit ose shoqërimit nga policia.
Në Spitalin e Traumës ndodheshin gjashtë protestues, njëri prej të cilëve i mitur, ndërsa një person i arrestuar po qëndronte i shtruar dhe i prangosur në krevat.
Institucioni i ka kërkuar Policisë së Shtetit ruajtjen e pamjeve filmike dhe dokumentimin e ndërhyrjeve, ndërsa Ministrisë së Brendshme i ka kërkuar marrjen e masave për të shmangur mbipopullimin.
Avokati i Popullit njoftoi se hetimi do të vijojë dhe se rastet ku konstatohen shkelje të ligjit dhe përgjegjësi penale do t'i referohen prokurorisë.
Raporti i Avokatit të Popullit:
Sot, 21 tetor, si komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, ju informoj mbi gjetjet nga monitorimi i datës 20 tetor në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar. Këto janë gjetje paraprake. Hetimi i thelluar vazhdon, dhe do t'ju njoftojmë brenda afateve ligjore.
1. Ku u bë monitorimi
Gjatë ditës së 20 tetorit, ekipe të Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatin e Policisë nr. 2, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Komisariatet nr. 1, 5 dhe 6 nuk kishin persona të shoqëruar gjatë inspektimit, dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e këtij monitorimi.
2. Numrat
• Komisariati nr. 2: 2 persona madhorë, meshkuj, të cilët u liruan gjatë monitorimit.
• Në momentin e inspektimet në Bllokun e Sigurisë ndodheshin 118 persona, nga të cilët 36 ishin arrestuar orët e fundit. Në këtë ambient ndodhen 6 të mitur. U administruan 6 ankesa nga personat e arrestuar.
• Spitali i Traumës: 6 protestues, 1 prej të cilëve i mitur, krahasuar me 34 persona të trajtuar mjekësisht një ditë më parë.
• Gjatë ditës së djeshme u administruan 6 ankesa për pretendime dhune gjatë ditës së 20 tetorit, të gjitha në Bllokun e Sigurisë.
3. Gjetjet dhe baza ligjore
3.1 Pretendimet e dhunës dhe përdorimi i forcës
Në Bllokun e Sigurisë u pretendua dhunë gjatë ndalimit ose shoqërimit. Në një rast u raportua dëmtim në kokë, dhe në një tjetër dëmtim i syrit. Pamjet filmike të publikuara nga protesta ngrenë shqetësime për tërheqje zvarrë dhe goditje me shkopinj gome. Qytetarët na kanë dërguar pamje filmike të dhunës së ushtruar nga policia gjatë ndalimit dhe shoqërimit. Ne po i analizojmë dhe po i hetojmë për të nxjerrë përgjegjësit. Gjithashtu, publiku na është drejtuar me ankesa përmes telefonit dhe na ka sinjalizuar raste të përdorimit të forcës, të cilat po analizohen.
Standardi: Neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues. Neni 11 mbron tubimin paqësor. Përdorimi i forcës duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional.
3.2 Trajtimi në spital
Në Spitalin e Traumës, një person i arrestuar qëndronte ende i shtruar, i prangosur në krevat, ndërsa një punonjës policie ishte në dhomë. Ai pretendoi se u dhunua gjatë arrestimit dhe kishte dëmtim të madh në sy.
Standardi: Nenet 3 dhe 5 të KEDNJ kërkojnë mbrojtjen nga keqtrajtimi dhe respektimin e garancive gjatë privimit nga liria. Çdo kufizim fizik duhet të ketë bazë, të jetë i nevojshëm dhe të dokumentohet.
3.3 Kushtet dhe mbipopullimi
Gjatë inspektimit në Bllokun e Sigurisë u konstatua se në dhoma të destinuara për një person qëndronin 3 deri 4 persona. Sipas raportimit, të paktën dy persona flinin në dysheme. Kapaciteti zyrtar i Bllokut të Sigurisë është 67 persona, ndërsa ne gjetëm aty 118 të arrestuar.
Standardi: Neni 3 i KEDNJ ndalon trajtimin çnjerëzor ose poshtërues. Gjykata e Strasburgut ka përcaktuar hapësirën minimale prej 3 m² për të burgosur në qeli me shumë persona. Standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) kërkojnë vend për fjetje, ujë, higjienë dhe kujdes mjekësor.
3.4 Të miturit
Gjatë monitorimit morëm kontakt me 6 të mitur. Por në Bllokun e Sigurisë, ku mbahen, nuk arritëm të identifikojmë dhomë të veçantë për fëmijët. Ankesat e administruara lidheshin me kufizimet për kontaktin me familjen dhe avokatin, si dhe mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje.
Standardi: Neni 37 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës kërkon trajtim njerëzor dhe mbrojtje të posaçme për çdo fëmijë të privuar nga liria.
4. Kërkesat tona
E drejta për tubim paqësor garantohet me Kushtetutë. Ne dënojmë çdo akt dhune, nga kushdo që vjen. Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë publike dhe, në çdo ndërhyrje, të përdorë forcën vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale.
Nga Policia e Shtetit kërkojmë:
• Ruajtjen e menjëhershme të pamjeve filmike të protestës, të komisariateve dhe të Bllokut të Sigurisë, dhe instalimin e kamerave në çdo ambient shoqërimi dhe zyrë, me ruajtje të pamjeve.
• Vënien në dispozicion të urdhrave, regjistrave dhe të dhënave për bazën e shoqërimit, kohëzgjatjen dhe identitetin e punonjësve.
• Identifikim të detyrueshëm të çdo punonjësi dhe automjeti në çdo operacion.
• Dokumentimin e garancive për 6 të miturit dhe ndarjen e tyre nga të rriturit.
• Sqarim mbi prangosjen e personit të shtruar në spital: kush e vendosi, arsyet dhe kohëzgjatja.
Nga Ministria e Brendshme kërkojmë:
• Të merren masa që Blloku i Sigurisë të funksionojë me kapacitetin normal prej 67 personash dhe personat e tjerë të mbipopulluar të sistemohen në ambientet të tjera që plotësojnë standardet..
Nga Ministria e Shëndetësisë kërkojmë:
• Mjekë të disponueshëm çdo kohë në ambientet e shoqërimit.
• Dokumentimin mjekësor të çdo dëmtimi trupor, për të lehtësuar hetimin dhe nxjerrjen e përgjegjësive për rastet e trajtimit çnjerëzor dhe degradues ndaj protestuesve.
Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave. Kur verifikohen përgjegjësitë, do të kërkojmë marrjen e masave ndaj punonjësve të policisë dhe do t'i referojmë në prokurori rastet kur konstatojmë shkelje të ligjit dhe përgjegjësi penale nga ana e tyre.
Gjejmë rastin të ftojmë çdo qytetar që pretendon se i janë cenuar të drejtat gjatë protestës ose shoqërimit në polici t'i drejtohet Avokatit të Popullit me ankesë individuale: përmes numrave tanë të telefonit, faqes zyrtare apo rrjeteve sociale. Konfidencialiteti garantohet.