BALLKAN, 9 Prill 2025, 09:17

Këshilli i Sigurimit/ Përfaqësuesi i SHBA në OKB: Koha për ta mbyllur UNMIK në Kosovë! Beogradi e Prishtina të punojnë për zbutjen e tensioneve

Këshilli i Sigurimit/ Përfaqësuesi i SHBA në OKB: Koha

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, John Kelley, ka kërkuar shpërbërjen e misionit të UNMIK-ut, duke thënë se mandati i saj ka skaduar dhe nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës.

“Koha për të mbyllur UNMIK-un ka ardhur. Rekomandojmë që UNMIK-u të fillojë të transferojë funksionet e veta te agjencitë e tjera të OKB-së në terren, që kanë funksion më të mirë për këtë punë. Ashtu që procesi drejt përfundimit të jetë gradual, jo i pa parashikuar. SHBA kërkon që të zbusë shpenzimet e panevojshme.

UNMIK është mision paqeruajtës ‘pa paqeruajtës’. 89% e buxhetit shkon për pagat e punëtorëve, edhe pse misioni prej shumë vitesh e ka tejkaluar mandatin e vet. SHBA i bën thirrje shteteve anëtare që ta rishikojnë këtë mandat, që së bashku të fillojmë një përmbyllje konsistente”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, duke theksuar se ajo që duhet në këtë mes është njohja e ndërsjellë dhe normalizimi i marrëdhënieve.

“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në zbutjen e tensioneve dhe përmbahen nga retorikat mes tyre dhe rajonin e tyre për një të ardhme me prosperitet. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është qenësor për Ballkanin Perëndimor. Amerika dhe komuniteti global janë më të sigurta kur vendet i zgjidhin konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe kur krijohet klima për investime ndërkombëtare”, tha ai.