BALLKAN, 22 Maj 2023, 17:18

Humbi në zgjedhjet në Greqi, kandidatja shqiptare e zhgënjyer: Gara ishte e fortë, nuk ishte rezultati që prisnim

Humbi në zgjedhjet në Greqi, kandidatja shqiptare e zhgënjyer:

Pati Vardhami, ishte mes 7 shqiptarëve që garoi në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Greqi. Vardhami,  e cila garoi nën siglën e partisë MeRA25, parti, që drejtohet nga ish-ministri i Financave të Greqisë gjatë kohës së krizës ekonomike Yanis Varoufakis, nuk arriti që të fitonte në këtë garë elektorale. Ajo tha për Abcnews se gara ishte shumë e fortë dhe rezultati i papritur.

“E dinim që në fillim që gara nuk do ishte e lehtë, është një betejë shumë e fortë. Jo vetëm për kandidatët shqiptarë, por me sa u kuptua ishte edhe një garë shumë e fortë elektorale, edhe rezultatet e përgjithshme nuk ishin ato që priteshin. Mendoj se ka të bërë me mbizotërimin e të djathtës alternative, një frymë që ka nisur në SHBA, kemi Melonin në Itali, Le Pen në Francë, kemi rezultate të ngjashme në vendet skandinave. Me sa shoh unë gjendja është shqetësuese për forcat progresive.” u shpreh ajo. Mes të tjerash shqiptarja tha se beteja e saj politike nuk ndalet këtu.

“Ka qenë një rezultat i papritur, po bëjmë analizën e asaj çfarë ka ndodhur. Jemi përball me forca shumë të mëdha, sociale dhe politike. Është e vështirë të vijmë afër pranë tyre dhe të kalojmë mesazhin tonë. Popullata shqiptare është e zhgënjyer me situatën politike. Beteja vijon, është një betejë shoqërore dhe politike.” u shpreh ajo.