TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Athinë – Im atë ishte mishërimi i individit liberal, një ironi e shkëlqyer për një marksist të përjetshëm. Për të siguruar jetesën, atij iu desh t’ia jepte me qira krahun e tij të punës drejtuesit të një fabrike çeliku në Eleusis. Por gjatë pushimit të drekës ai shëtiste i lumtur në oborrin e hapur të Muzeut Arkeologjik të Eleusis, ku kundronte pavionin plot me të dhëna që tregonin se teknologët e antikitetit ishin më të avancuar nga sa mendohej më parë.
Pas kthimit në shtëpi, çdo ditë pak pas orës 17:00, dhe pas një pushimit të shkurtër, ai do të ishte gati të merrte pjesë në jetën tonë familjare dhe më pas do të gjente hapësirë për të shkruar gjetjet e tij në artikuj dhe libra akademikë. Me pak fjalë, jeta e tij në fabrikë ishte e ndarë mjeshtërisht nga jeta e tij personale.
Ajo ishte një kohë kur edhe të majtët si ne mendonin se minimumi kapitalizmi na kishte dhënë sovranitet mbi veten tonë, ndonëse brenda disa kufijve. Sado që dikush punon fort për shefin e tij në punë, mund ta “rrethojë” të paktën një pjesë të jetës së tij dhe brenda këtij “gardhi”, të mbetet autonom, i vetëvendosur, i lirë.
Ne e dinim se vetëm të pasurit ishin vërtet të lirë të zgjidhnin, se të varfërit ishin kryesisht të lirë për të humbur, dhe se skllavëria më e keqe ishte ajo e kujtdo që kishte mësuar të donte zinxhirët e tij. E megjithatë e vlerësuam vetë–pronësinë e kufizuar që kishim. Sot të rinjve i është mohuar edhe kjo.
Që nga momenti kur hedhin hapat e tyre të parë, ata mësohen haptazi ta shohin veten si një markë, por që do të gjykohet sipas origjinalitetit të perceptuar. (Dhe kjo përfshin punëdhënësit e mundshëm: “Askush nuk do të më ofrojë punë, derisa të zbuloj veten time të vërtetë”- më tha një herë një i diplomuar).
Marketingu i një identiteti në shoqërinë e sotme online nuk është fakultativ. Kurimi i jetës së tyre personale, është bërë një nga punët më të rëndësishme që bëjnë sot të rinjtë. Përpara se të postojnë ndonjë imazh, të ngarkojnë ndonjë video, të rishikojnë ndonjë film, të ndajnë ndonjë fotografi apo një postim në Twitter, ata duhet të kenë parasysh se kë do të kënaqë ose do të distancojë zgjedhja e tyre. Ata duhet të kuptojnë se cila pjesë e “vetes së tyre të vërtetë” do të duket më tërheqëse, duke testuar vazhdimisht opinionet e tyre kundër konceptit të tyre se cili mund të jetë opinioni i zakonshëm midis opinion–bërësve në internet. Për shkak se çdo përvojë mund të kapet dhe të ndahet, ato i mundon vazhdimisht pyetja nëse duhet bërë një gjë e tillë.
Edhe nëse nuk ekziston vërtet asnjë mundësi për të ndarë përvojën, ajo mundësi mund të imagjinohet lehtësisht. Çdo zgjedhje shndërrohet në një akt për ndërtimin e kujdesshëm të një identiteti. Nuk ka nevojë të jesh i majtë për të parë se e drejta edhe kur nuk është në shitje, është e zhdukur.
Ironia është se individi liberal nuk vdiq as nga këmisha e kadifenjtë fashiste dhe as nga komisarët stalinistë. Ai u vra kur një formë e re e kapitalit, nisi t’i udhëzonte të rinjtë t’i bënin gjërat edhe më liberale: të ishin vetvetja. Nga të gjitha modifikimet e sjelljes, ajo që unë e quaj kapitali dixhital që ka gjeneruar para, është padyshim arritja e tij kryesore dhe kurorëzuese.
Individualizmi posedues ishte gjithnjë i dëmshëm për shëndetin mendor. Shoqëria tekno-feudale që po krijon kapitalin dixhital i bëri gjërat shumë më keq kur e shkatërroi gardhin ndarës që i siguronte individit liberal një strehë nga tregu i punës. Kapitali dixhital e ka copëtuar individin në fragmente të dhënash, një identitet i cili përfshin zgjedhje të shprehura me klikime, në të cilat algoritmet e tij janë në gjendje t’i manipulojnë në mënyra që asnjë mendje njerëzore nuk mund t’i kuptojë. Ai ka prodhuar individë që nuk janë edhe aq posesivë sesa të poseduar, ose më saktë persona të paaftë për vetë-posedim.
Ai e ka pakësuar kapacitetin tonë për t’u fokusuar duke zgjedhur vëmendjen tonë. Ne nuk jemi bërë vullnet-dobët. Jo, fokusi ynë është i rrëmbyer nga një klasë e re sunduese. Dhe për shkak se algoritmet në rrjet dihet se përforcojnë patriarkalizmin, stereotipet djallëzore dhe shtypjen para-ekzistuese, më të rrezikuarit – vajzat, të sëmurët mendorë, të margjinalizuarit dhe të varfërit – janë ata që vuajnë më shumë.
Nëse fashizmi na mësoi diçka dikur, kjo është ndjeshmëria jonë ndaj stereotipeve demonizuese dhe tërheqjes (dhe fuqisë) së shëmtuar të emocioneve si drejtësia, frika, zilia dhe urrejtja që ato ngjallin tek ne. Në realitetin tonë bashkëkohor shoqëror, bota dixhitale na vendos ballë për ballë me “tjetrin” të frikësuar dhe të urryer.
Dhe për shkak se dhuna në internet na duket pa gjak, ne kemi më shumë gjasa t’i përgjigjemi këtij “tjetrit” me gjuhë tallëse dhe madje nënçmuese. Fanatizmi është kompensimi emocional i tekno-feudalizmit për frustrimet dhe ankthet që përjetojmë në lidhje me identitetin dhe fokusin.
Moderatorët e komenteve dhe rregullimi i gjuhës së urrejtjes nuk mund ta ndalojnë këtë brutalizim, sepse është thelbësor për kapitalin iCloud, algoritmet e të cilit optimizohen për fitimet e bollshme që shkojnë për pronarëve e Big Tech. Rregullatorët nuk mund të rregullojnë algoritmet e drejtuara nga Inteligjenca Artificiale që nuk mund t’i kuptojnë as autorët e tyre.
Që liria të ketë një shans, duhet të socializohet kapitali dixhital. Babai im besonte se gjetja e diçkaje që ishte përjetësisht të bukur për t’u fokusuar, siç bëri duke u çuditur tek reliktet e lashtësisë greke, është mbrojtja jonë e vetme nga demonët që rrethojnë shpirtin tonë. Unë jam përpjekur ta praktikoj këtë gjatë viteve dhe në mënyrën time.
Por përballë tekno-feudalizmit, të vepruarit vetëm, të izoluar, dhe si individë liberalë, nuk do të na çojnë shumë larg. Shkëputja nga interneti, fikja e telefonave celularë dhe përdorimi i parave fizike në vend të kartave bankare nuk është zgjidhje. Nëse nuk bëhemi bashkë, nuk
do të arrijmë asnjëherë të civilizojmë apo shoqërizojmë kapitalin dixhital, dhe nuk do ta rifitojmë dot pavarësinë tonë mendore nga kontrolli i tij. Dhe këtu qëndron kontradikta më e madhe: vetëm një ri–konfigurim gjithëpërfshirës i të drejtave të pronësisë mbi instrumentet gjithnjë e më të bazuara tek kapitali dixhital, të shpërndarjes, bashkëpunimit dhe komunikimit mund të shpëtojë idenë themelore liberale të lirisë siç do të kërkojë vetë–pronësia. Prandaj, ringjallja e individit liberal kërkon pikërisht atë që liberalët e urrejnë: një revolucion të ri.
Shënim: Yanis Varoufakis, ish-Ministër i Financave i Greqisë. Aktualisht është udhëheqës i partisë MeRA25 dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës./ “Project Syndicate” – Përktheu Bota.al