AKTUALITET, 24 July 2026, 13:38

Aleancë me "Flamingot"/ Rama u prezanton shqiptarëve “BESËN”: Kam parë mbylljen e epokës, është koha t’ju kthej borxhin!

Aleancë me "Flamingot"/ Rama u prezanton shqiptarëve

Duke prezantuar me emrin “Besa” dokumentin që prezantoi në fillim të fjalimit të tij para grupit të PS, Rama tha se asnjë fjalë s’e përshkruan më mirë se vendimet e qeverisë s’do të përjetohen më nga qytetarët si prerje në besë. Ai tha se debati është mes atyre që duan një Shqipëri të drejtë dhe atyre që e duan të përçarë. Rama tha se kjo është aleanca për të kthyer protestën e flamingove në test pjekurie të demokracisë.

“E kam titulluar me emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. E  di që do të hapë debat, por e zgjodha edhe pse do të hapë debat. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur! Do ta merrni për ta shkoqitur gjatë pushimeve. E di që para se ta lexoni do të jetë hedhur në kanale sociale, i mbuluar me pupla sorrash. C’est la vie! Kam shkruar edhe një aneks për mënyrën si PS do ta mbështesë kthesën.

Atë nuk do ta merrni sepse do ta diskutojmë së pari në një takim të ngushtë me drejtuesit e komisioneve. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë e të besueshme dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të përçarë dhe pa besim te shteti.

Atyre, që i patë edhe dje, të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e parlamentit. Edhe pse tani, bulevardi i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë. Aleanca që na duhet është për ta mbrojtur kritikën, për ta kthyer zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën nga një çast përplasjeje në një test pjekurie të demokracisë”, tha Rama.

Rama: Vija e re ndarëse e epokës kalon mes atyre që duan Shqipëri më të mirë

Epoka e re e kërkesave kalon në vijën ndarëse edhe të atyre që dolën në protestë dhe duan një Shqipëri më të mirë, tha Rama.

“Vija e re ndarëse e kësaj epoke të re nuk kalon mes atyre që dolën apo që s’dolën në protestë, por atyre që e duan Shqipërinë më të mirë edhe për ta, edhe me ta”, u shpreh kryeministri.
Ndërsa po merrte si shembull problemin e një fermeri nga Lushnja që ishte përballur drejtpërdrejt me arrogancën e administratës, Rama tha se ky është problemi i flamingove me qeverinë.

“Halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet me një jo, por bëhet më poshtërues kur mbetet as po, as jo. Pas ca orësh, vjen një mesazh me ‘screenshot’ nga postimet e Arbrit në protestë si për të më thënë që mos mërzitet shefi që ky tipi është kundër qeverisë. Ja ku del i gjithi cullak jo problemi që kanë flamingot me ne, por problemi që kemi ne me vete si bartës të atij besimi që kemi të mishëruar në 83 mandate! Arbri nga Lushnja nuk është problemi ynë! Arbri nga Lushnja është prova dhe sprova e asaj që kemi me vete!”, tha Rama.

Nëna me fëmijën autik në protestën te Kuvendi, Rama: Organizatorët e përdorën, pastaj e lanë në fatin e saj

Kryeministri Rama komentoi edhe videon virale të një nëne me fëmijën e saj autik, të cilët u prekën nga gazi lotsjellës i hedhur nga Policia gjatë protestës pranë Parlamentit.

“E kishin marrë me vete për ta kthyer në viktimë të policisë, e cila ishte aty për të mbrojtur deputetët nga dhuna. Ne sapo e kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë dhe për nënat e tyre. Ky është fakti ynë. Por përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. 

Pikërisht aty, në fund të këtij hendeku, hynë sorrat dhe korbat me solidaritetin e tyre hipokrit. E morën me vete te Parlamenti për ta përdorur bashkë me fëmijën autik. Me të njëjtin manual si terroristët, duke i përdorur si mburojë ndërsa sulmonin Policinë e Shtetit me maska. Më pas e vunë para kamerave, e shfrytëzuan dhe e nxorën në publik për t’i qarë hallin. Lotët e saj i kthyen në një stuhi në rrjetet sociale përmes algoritmit, pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën drejt mikrofonit në bulevard. Si ata skuthat që çojnë të tjerët mish për top dhe më pas kërkojnë solidaritet”, tha Rama.