TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Numri i fëmijëve që paraqiten në departamentet e urgjencës në Angli me shqetësime të shëndetit mendor është rritur me 36 për qind që nga viti 2019, njoftoi sot Kolegji Mbretëror i Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve.
Sipas raportit të kolegjit, rritja më e mprehtë është vërejtur tek fëmijët e moshës 6 deri në 9 vjeç, duke iu referuar të dhënave nga Shërbimi Kombëtar i Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar.
Numri i frekuentimeve të lidhura me shëndetin mendor u rrit nga 55.525 në vitin 2019 në 75.491 në vitin 2025, te fëmijët dhe të rinjtë e moshës 6 deri në 17 vjeç. Sipas shifrave të siguruara nga kolegji përmes një kërkese për Lirinë e Informacionit të paraqitur në NHS Angli.
Kolegji Mbretëror i Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve i ka kërkuar qeverisë që urgjentisht të përcaktojë se si do t’i japë përparësi shëndetit mendor të fëmijëve.
“Ky zbulim është veçanërisht shqetësues duke pasur parasysh natyrën e pambrojtur të zhvillimit neurologjik të fëmijëve të vegjël dhe potencialin e vuajtjes në planin afatgjatë për këta fëmijë pa ndërhyrje të hershme”, thuhet në raport.
Raporti thekson gjithashtu një rritje të ndjeshme të kohës së qëndrimit të fëmijëve dhe të rinjve në departamentet e urgjencës. Numri i fëmijëve dhe të rinjve që qëndruan më shumë se 12 orë në departamentet e urgjencës u rrit me 217 për qind, nga 1.964 në vitin 2019 në 6.235 në vitin 2025.
Ndërkohë, numri i rasteve ku qëndrimi në urgjencë zgjati më shumë se 72 orë u rrit me 514 për qind, nga 55 raste në vitin 2019 në 338 në vitin 2025, shtoi raporti.
Kolegji tha se këto shifra tregojnë për një sistem nën “tension në rritje” në kujdesin urgjent, shëndetin mendor, komunitetin dhe shërbimet e kujdesit social.
“Sistemi ynë shëndetësor është nën presion në rritje. Më shumë fëmijë po arrijnë pikën e krizës dhe kur e arrijnë, ata presin më gjatë, shpesh shumë më gjatë, për të marrë ndihmën që u nevojitet, pavarësisht përpjekjeve më të mira të pediatërve për t’u kujdesur për këta fëmijë”, tha Sam Jones, oficer i RCPCH-së për shëndetin mendor.