BOTA, 2 September 2026, 14:57

Identifikohen dy autorët e dyshuar të sulmit me dron në aeroportin e Lajpcigut, media gjermane: Janë shtetas rusë

Hetuesit gjermanë kanë identifikuar dy persona të dyshuar në lidhje me tentativën për sulm ndaj avionëve të transportit në aeroportin Leipzig/Halle, raporton ‘The Guardian’ duke iu referuar mediave gjermane. 

 Sipas raportimeve, bëhet fjalë për një burrë të lindur në Rusi, i pajisur me pasaportë letoneze, si dhe një shtetas nga Bjellorusia me pasaportë ruse. Të dy personat thuhet se janë të njohur për autoritetet gjermane.

Rasti lidhet me incidentin e 4 gushtit 2026, kur në aeroportin Leipzig/Halle u zbulua një dron i pajisur me eksplozivë, pranë avionëve të transportit ukrainas. Pajisja u çaktivizua pa shkaktuar viktima apo dëme.

Autoritetet gjermane kanë deklaruar tashmë se, bazuar në rezultatet e hetimeve policore, modelet e përdorura dhe të dhënat e shërbimeve të inteligjencës, Rusia qëndron pas sulmit të dështuar, duke e cilësuar atë si pjesë të një operacioni hibrid. Moska i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si të pabazuara.