BOTA, 2 September 2026, 17:23

Ende ka shpresë në Nepal, besohet se 46 punëtorë të bllokuar në hidrocentral janë ende gjallë

Shpresat për të gjetur të mbijetuar në Nepal janë rikthyer, pasi autoritetet besojnë se dhjetëra punëtorë të bllokuar prej rreth një jave në një hidrocentral mund të jenë ende gjallë.

Sipas zyrtarëve nepalezë, rreth 46 punëtorë dyshohet se ndodhen të izoluar në një hapësirë në formë dhome brenda tuneleve të hidrocentralit Rasuwagadhi, pas përmbytjeve shkatërruese që goditën zonën.

Autoritetet vlerësojnë se punëtorët mund të kenë akses në ushqim dhe ujë, duke rritur shpresat për mbijetesën e tyre. Ekipet e shpëtimit po përpiqen të depërtojnë në tunele, por operacioni po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të baltës dhe mbetjeve të grumbulluara.

Ndërkohë, ekipet nga Nepali, India dhe Kina po punojnë së bashku në operacionet e kërkim-shpëtimit. Deri tani, qindra persona janë shpëtuar, ndërsa numri i të zhdukurve vijon të jetë shumë i lartë.

Mes të zhdukurve ka edhe shtetas australianë. Pas gjetjes së disa australianëve të raportuar më parë si të zhdukur, autoritetet vijojnë kërkimet për të tjerët që ende nuk dihet ku ndodhen.