BOTA, 2 September 2026, 17:39

Vetëm 13 dollarë në xhep dhe shpresë/ Babai endet prej ditësh në Nepal në kërkim të djalit 19-vjeçar të zhdukur

Me vetëm 13 dollarë të marrë borxh dhe me shpresën se do të gjejë të birin, një baba nga Nepali prej ditësh po kërkon në zonat e goditura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut. Talka Sada është në kërkim të djalit të tij 19-vjeçar, Vinod, i cili rezulton i zhdukur që prej 26 gushtit, kur përmbytjet goditën rëndë veriun e Nepalit.

I riu punonte si punëtor krahu në një hidrocentral në distriktin Rasuwa, një prej zonave më të prekura nga katastrofa. Sada fillimisht udhëtoi së bashku me vëllain e tij drejt Katmandusë. Ata kontrolluan spitale dhe morgje, por nuk gjetën asnjë gjurmë të 19-vjeçarit. Më pas, të dy nisën të ecnin drejt Nuwakotit, më pranë zonës ku Vinod punonte.

Udhëtimi po bëhet edhe më i vështirë për familjen për shkak të mungesës së parave. Babai tregon se ka marrë hua rreth 13 dollarë për të përballuar shpenzimet dhe se edhe një natë në hotel mund t'i harxhojë të gjitha paratë që i kanë mbetur.

“Gruaja ime më kërkoi ta ktheja djalin tonë. Prandaj po kërkojmë kudo”, ka rrëfyer ai mes lotësh.

Katastrofa natyrore ka shkaktuar një bilanc të rëndë në Nepal. Mbi 1,000 persona raportohet se kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, ndërsa mijëra të tjerë vijojnë të rezultojnë të zhdukur. Mes kësaj tragjedie, familja e Vinod vazhdon kërkimet, me shpresën se 19-vjeçari do të gjendet.