BOTA, 1 September 2026, 20:46

Incidenti në aeroportin gjerman, Von der Leyen akuzon Rusinë: Po përpiqet të mbjellë frikë në Evropë, por do të dështojë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur solidaritetin e plotë të Bashkimit Evropian me Gjermaninë, pas dyshimeve për një tentativë sulmi nga Rusia në aeroportin e Leipzigut.

Von der Leyen deklaroi sot në mbrëmje se BE-ja do të qëndrojë e bashkuar përballë agresionit rus dhe do të pengojë çdo përpjekje për të cenuar lirinë dhe sigurinë në Evropë.

“Ne do ta mbajmë BE-në të bashkuar, pavarësisht këtyre akteve në rritje dhe serioze”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

“Rusia po përpiqet të mbjellë mosbesim dhe frikë në shoqëritë tona. Por do të dështojë. Dhe ne do të qëndrojmë përkrah Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi Von der Leyen në një postim në X.

Presidentja e Komisionit Evropian bëri të ditur se gjatë mëngjesit të sotëm kishte zhvilluar një bisedë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, lidhur me incidentin në aeroportin e Leipzigut.

“E sigurova atë se BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë përballë këtij sulmi nga Rusia”, shkroi ajo.

Von der Leyen tha gjithashtu se çështjen do ta diskutojë nesër me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Ajo njoftoi se edhe ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të zhvillojnë konsultime, ku pritet të diskutohen edhe sanksione të mundshme.